Gjilani ka mungesë të punëtorëve në pozita vakante
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, në mbledhjen e bordit të drejtorëve, e cila u transmetua drejtpërdrejt nga mediat, ka deklaruar se së shpejti pritet të ndodhë rishikimi funksional i 12 udhëheqësve të dikastereve përkatëse.
Në këtë takim, drejtorët komunal dhe shefat e zyrave dhe njësive kanë raportuar për nëntëmujorin e punës, për arritjet, sfidat dhe problemet.
“Gjatë kësaj periudhe kemi realizuar dhe janë në realizim projekte infrastrukturore e fushat tjera në vlerë prej dhjetëra miliona euro. Zgjedhjet kanë afektuar disa projekte, por nuk jemi ndalë assesi. Lajmi i mirë është që është shpallë oferta publike e rrugës katër korsi prej 7.2 kilometrash, Gjilan-Penda e Livoçit. Do të vazhdojmë investimet në rrugën Gjilan-Bujanoc, në Rrugën e Kumanovës, në rrugën prej Livoçit të Ultë në drejtim të Kllokotit dhe rrugët tjera që janë pjesë e investimeve. Pastaj, përfundimi i rregullimit të lumit Mirusha, Tregut të Gjelbër dhe punimet te Stadiumi i Qytetit, janë projekte që eliminojnë nevojën e qarkullimit me vetura”, ka thënë Haziri.
Ndërkohë, si projekt tepër të rëndësishëm i cili do të realizohet në vitin e ardhshëm, i pari i gjilanasve ka thënë se është ai i impiantit për trajtimin e ujërave të zeza, me kosto afro 30 milionë euro.
Haziri ka thënë se as pas tri vjetësh të suspendimit të 30 zyrtarëve komunalë si pasojë e një aktakuze për krim të organizuar, akoma nuk kemi epilog nga organet e drejtësisë.
“Si pasojë e kësaj, Gjilani vazhdon ta vuaj traumën e ‘Palermos’ që po duhet jashtëzakonisht shumë angazhim për t’i bindur donatorët për mbështetje nga Gjilanit. Si rrjedhojë e kësaj, kemi mungesë të punëtorëve në pozita vakante dhe deri në fjalën përfundimtare të drejtësisë, nuk mund të angazhojmë punëtorë me kontrata afatgjate të shërbimit civil”, ka thënë Haziri.
/Epoka e re/