Gjilani konfirmon largimin e Caesarit dhe Marinhos
Raportimin e gazetës “Epoka e re” se nga skuadra Gjilanit janë larguar dy futbollistët e huaj, Mauricio Marinho dhe Trevin Ceasar e ka konfirmuar vetë klubi nga Anamorava.
“S.C. Gjilani në mirëkuptim të dy anshëm ka ndërprerë bashkëpunimin me dy futbollistët e ardhur në afatin kalimtarë të verës. Bëhet fjalë për lojtarët Trevin Shonari Caesar i ardhur nga Trinidad dhe Tobago dhe Brazilianin Jose Mauricio Marinho,të cilët kishin mbrojtur ngjyrat e klubit në pjesën vjeshtore të edicionit të sivjetmë në futbollin tonë. Gjilani i falënderon futbollistët për angazhimin sa ishin pjesë e klubit tonë dhe ju uron sukses në vazhdimin e karrierës së tyre futbollistike”, thuhet në njoftimin e Gjilanit. Kjo skuadër ka konfirmuar se është në bisedime me disa futbollistë ku pritet të përforcohet në afatin kalimtar të janarit.
Skuadra e Gjilanit, edhe përkundër investimeve të shumta në afatin kalimtar të verës, u eliminua nga gara e Kupës, kurse sezonin vjeshtor e mbylli në pozitën e katërt me 27 pikë të grumbulluara, 13 pikë me pak se skuadra e Prishtinës që është lidere në Superligë.
/Epoka e re/