Gjilani mposhti Dukagjinin, Drenica ndan pikët me Prishtinën

24 shkurt 2022 | 15:12

Skuadra e Gjilanit, me tri pikët e marra nga ndeshja kundër Dukagjinit (2-1), është rikthyer në pozitën e dytë në Superligë. Në ndeshjen e zhvilluar në Skenderaj, Drenica ndau pikët me Prishtinën (0-0). Lidere pas javës së 21-të është skuadra e Ballkanit me 42 pikë.

Me dy ndeshjet e zhvilluara të enjten ka përfunduar java e 21-të në Superligën e Kosovës në futboll. Gjilani e ka mposhtur Dukagjinin me rezultat 2-1, kurse Drenica ka luajtur baras me Prishtinën (0-0). Ndeshja e zhvilluar në Gjilan solli tre gola të shënuara nga penalltia, dy herë realizuan vendasit dhe një herë mysafirët. Gjilani shënoi në pjesën e parë nga penalltia me anë të Gerhard Prognit për rezultatin 1-0, kurse në minutat shtesë të kësaj pjese nga loja u përjashtua portieri Enea Koliçi, i cili luajti me dorë jashtë zonës së rreptësisë. Dukagjini barazoi në pjesën e dytë me golin e Mentor Zhdrellës nga penalltia, kurse vendasit shënuan edhe një tjetër gol nga pika e bardhë për rezultatin final 2-1. Realizues ishte Progni.

Pas kësaj xhiroje, Gjilani renditet në vendin e dytë me 42 pikë, po aq sa ka edhe Ballkani që renditet në vendin e parë. Në anën tjetër skuadra nga Klina pozicionohet e nënta me 18 pikë. Në ndeshjen tjetër që u zhvillua të enjten, Drenica ndau pikët me Prishtinën, duke luajtur baras 0-0. Pas këtij barazimi kryeqytetasit mbeten në pozitën e gjashtë me 25 pikë, ndërsa Drenica zë vendin e pestë me 28 pikë.

Ndërsa të mërkurën janë zhvilluar tri ndeshje. Drita u është rikthyer fitoreve në Superligë pasi e ka mposhtur Malishevën me rezultat 1-2. Simonovski dhe Fazliu ishin realizues për mysafirët, ndërsa për vendasit shënoi Marc-Olivier. Fitores iu gëzua edhe Ballkani që e mposhti Ulpianën (3-0), kurse golat i shënuan Edvin Kuç, Blend Baftiu dhe Mevlan Zeka. Ndërkohë Llapi e mposhti Feronikelin (4-2). Për klubin e drejtuar nga Tahir Batatina shënues ishin Alef Firmino, Maliqi, Amadu dhe Bianor Neto, ndërsa për mysafirët realizuan Seferi dhe Kiqina.

SUPERLIGA – Java 21

Gjilani – Dukagjini            2-1
Drenica – Prishtina           0-0
Malisheva – Drita              1-2
Ballkani – Ulpiana            3-0
Llapi – Feronikeli              4-2

Tabela

  1. Ballkani      42 pikë
  2. Gjilani         42
  3. Drita            41
  4. Llapi            36
  5. Drenica       28
  6. Prishtina     25
  7. Malisheva   23
  8. Ulpiana       19
  9. Dukagjini    18
  10. Feronikeli    11

 

/Veton ZYMBERI/ 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka, pasi ka dënuar…