Gjilani ndahet baras me Ballkanin, Drita shpallet kampione
Drita nga Gjilani është shpallur kampione e Superligës për herë të tretë në historinë e saj. Deri te ky sukses Drita erdhi pasi ndeshja derbi në mes të Gjilanit dhe Ballkanit u mbyll me rezultat 2-0. E paqartë mbetet gara për mbijetesë, pasi tash në pozitën që e dërgon në Ligën e Parë pozicionohet Drenica, me pikë të barabarta me Trepçën ’89.
Skuadra e Dritës është shpallur kampione e IPKO Superligës së Kosovës në futboll pasi ndeshja derbi e zhvilluar të mërkurën në mes të Gjilanit dhe Ballkanit ka përfunduar me rezultat 2-2. Ndeshja e zhvilluar në Gjilan ishte mjaft dramatike, kurse në fund skuadrat kanë ndarë pikët. Dy minuta para fundit të pjesës së parë Gjilani kaloi në epërsi me golin e Kushtrim Shabanit. Në pjesën e dytë mysafirët ishin më të mirë se vendësit dhe brenda tre minutave shënuan dy gola me anë të Mirlind Dakut dhe Jetmir Topalli për rezultatin 1-2.
Në minutat shtesë Keita Razak realizoi golin e barazimit (2-2). Pas kësaj ndeshje Gjilani e ka siguruar pozitën e dytë me 66 pikë, kurse Ballkani mbetet në pozitën e tretë me 63 pikë. Fitore bindëse në derbin e skuadrave nga kryeqyteti ka shënuar Prishtina ndaj Flamurtarit (3-0). Pjesa e parë e ndeshjes që u zhvillua në stadiumin “Fadil Vokrri” përfundoi 0-0, kurse në dyzet e pesë minutat e dytë Prishtina shënoi tri gola.
Donat Vitia ka shënuar autogol, kurse dy golat e tjerë i kanë realizuar Meriton Korenica dhe Kreshnik Uka. Tri pikë të rëndësishme për mbijetesë ka marrë skuadra e Trepçës ’89, e cila e ka mposhtur Feronikelin (1-2) në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas. Për vendësit shënues në pjesën e parë ishte Gbowea Harmon, kurse për mysafirët në pjesën e dytë realizuan Lassine Traore dhe Robert Rrahmani.
Fitore në xhiron e parafundit shënoi Llapi ndaj Ferizajt (2-1). Me rezultat 2-1 fitore shënoi edhe Dukagjini ndaj Vushtrrisë.
IPKO Superligë
Gjilani – Ballkani 2-2
Prishtina – Flamurtari 3-0
Feronikeli – Trepça ’89 1-2
Llapi – Ferizaj 2-1
Dukagjini – Vushtrria 2-1
Drita – Drenica 1-0
(V.Z / Epoka e re)