Gjilani nderon Agon Musliun, Klubit të Lexuesve i vë emrin e tij
Agon Musliu më nuk është në mesin tonë, por duket se emri i tij do të jetoj gjatë.
Duke qenë se i ndjeri ishte pasionant i madh i librit dhe dy herë i shpallur lexuesi i vitit i bibliotekës “Fan S. Noli”, kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri, e ka emërtuar klubin e lexuesve “Agon Musliu”.
Këtë vendim, Haziri e ka marrë dje, në Ditën e Evropës.
“Në Ditën e Evropës e kam emërtuar klubin e lexuesve të librit “Agon Musliu”, në bibliotekën regjionale “Fan S. Noli”, në shenjë respekti dhe nderimi për figurën e tij. Shpirti i Agonit bën dritë. I them babait të tij, Naimit, që të mbahet i fortë”, ka thënë Haziri, raporton Mediafokus.info.
Ky vendim i të parit të Gjilanit është bërë pasi e themeloi Qendrën Kulturore Evropiane, e cila do ta ketë selinë në bibliotekën “Fan S. Noli”.
Haziri ka bërë me dije se ceremonia zyrtare do të bëhet në një kohë më të përshtatshme.
Vdekja tragjike e Agon Musliut ka tronditur opinionin në Kosovë, derisa ka ngjallur debat të madh për atë se a është dashur të vendoset në karantinë apo jo.
Babai i tij, Naim Musliu, për vdekjen Agonit e ka bërë përgjegjës kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia dhe u.d. ministrin e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla.