Gjilani nderon jetën dhe veprën e veprimtarit Limon Isufi
Me rastin e ndarjes nga jeta të veprimtarit dhe atdhetarit, Limon Isufi, nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, është organizuar të hënën mbledhje komemorative, në nderim të jetës dhe veprës së tij.
Kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, përmes një telegrami ngushëllimi, ka thënë se baca Limon, gjatë gjithë jetës ka qenë në krah të organizimeve dhe iniciativave për kauzën kombëtare.
“Baca Limon, me qëndrimin e vendosur për kauzën kombëtare, gjatë gjithë jetës ka qenë në krah të organizimeve dhe iniciativave. Ai, me frymën e atdhedashurisë, rriti dhe edukoi familjen e tij, duke mos u kursyer asnjëherë për të mirën e vendit. Ai ishte strehë e sigurt për të gjithë veprimtarët e ilegales. Lavdi e përjetshme jetës dhe veprës së tij”, ka thënë Haziri.
Ndërkaq, kryesuesja Shpresa Kurteshi Emini, ka thënë se Limon Isufi, me personalitetin e tij, sot i mungon qytetarëve të Gjilanit, por më së shumti familjes dhe miqve të tij.
Në emër të kryeministrit në largim Ramush Haradinaj, ka folur zëvendësministri në detyrë i Infrastrukturës, Rexhep Kadriu, i cili ka pohuar se “këshillat që na i dha baci Limon, durimi që kishte përgjatë tërë jetës së tij, le të shërbej si udhërrëfyes për ne që ta ndërtojmë të ardhmen”.
Në emër të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së ka folur Qëndrim Baftiu, i cili ka theksuar se Limon Isufi ishte një aktivit e humanist, atdhetar i devotshëm dhe pjesëmarrës në shumë ngjarje me rëndësi që nga Lufta e Dytë Botërore.
Ndërkohë, në emër të familjes Isufi, ka folur vajza e Limonit, Sania, e cila ka thënë se me organizimin e kësaj mbledhje komemorative, komuna nuk e ka nderuar vetëm familjen e saj, por edhe veten dhe qytetarët e Gjilanit.
Telegrame ngushëllimi për familjen Isufi ka dërguar edhe kryeministri në largim, Ramush Haradinaj, rektori Universitetit Publik “Kadri Zeka”, Bajram Kosumi dhe familja e kolosit të kombit, Rexhep Malaj.
Varrimi i të ndjerit është bërë të hënën në varrezat e qytetit të Gjilanit.
/Epoka e re/