GJILANI NË NDERIM TË NAZMI HOXHËS
13 vjet nga nderimi i madh publik, të figurës së madhe politike ilegale kombëtare, të pavdekshmit Nazmi Hoxha!
Fjalë e mbajtur në akademinë përkujtimore në 60-vjetorin e lindjes, 30-vjetorin e arrestimit dhe 10-vjetorin e vdekjes së atdhetarit dhe tribunit të lirisë, Nazmi Hoxha
DASHURINË NDAJ POPULLIT DHE ATDHEUT E KISHTE TRADITË FAMILJARE
Të nderuar pjesëtarë të familjes së atdhetarit e veprimtarit të madh të kombit Nazmi Hoxha!
Të dashura familje të heronjve dhe dëshmorëve të kombit!
Të nderuar invalidë, veteranë të çështjes kombëtare e të luftërave të armatosura çlirimtare!
Të nderuar deputetë të Parlamentit të Kosovës dhe të Parlamentit të Maqedonisë, ministra e zëvendësministra të Qeverisë së Kosovës!
Të nderuar përfaqësues të institucioneve qendrore e lokale të Kosovës!
I nderuar kryetar i Komunës së Gjilanit, z. Qemajl Mustafa, të nderuar kryetarë të komunave të Kosovës!
Të nderuar vëllezër nga Shqipëria!
Të nderuar shikues të RTK-së!
Të nderuar të pranishëm, zonja dhe zotërinj!
Historia e jetës dhe e luftës ilegale e viteve ’70 dhe ’80, por edhe fundi i viteve ’90 e fillimi i vitit ’91, të Gjilanit në veçanti, por edhe e Kosovës dhe viseve të saj në përgjithësi, është e vulosur pashlyeshëm nga aktiviteti atdhetar i luftëtarit kombëtar nga Cërnica e Gjilanit, Nazmi Hoxha!
Tërë gjerdanin e artë të veprimtarëve atdhetarë të Gjilanit dhe Anamoravës i kishte njohur personalisht!
Nga gjenerata e vjetër kishte dëgjuar dhe marrë tërë këshillat dhe kishte vazhduar traditën atdhetare duke ecur rrugës së tyre për lirinë, çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës!
Ndërkaq, me gjeneratën e tij, brezin e Kadri Zekës, Rexhep Malës, Hydajet Hysenit, Zija Shemsiut, Bejtullah Tahirit, Nuhi Berishës, Basri Musmuratit e të shumë veprimtarëve të devotshëm, kishte filluar rrugën e luftës për çlirim dhe pavarësinë e Kosovës nga zgjedha pushtuese e ish-Jugosllavisë!
Në organizimin politik ilegal kishte organizuar edhe vëllanë e vetëm, Sami Hoxhën, për të dhënë shembullin, se për çlirimin e Kosovës duhet të angazhohemi të gjithë!
Në formimin atdhetar dhe patriotik të Nazmi Hoxhës rol me ndikim ka luajtur babai i tij Hasim Hoxha, por edhe aktiviteti patriotik i fisit të tij të lavdishëm të hoxhajve në zë e veçanërisht tribuni i kombit Ramiz Cërnica!
Babai i tij, Hasim Hoxha, ishte luftëtari sypatrembur i qëndresës heroike në malet e Kitkës legjendare!
Axha Hasim ka luftuar atje ku janë mbajtur me ditë dhe net të tëra dhe nuk kanë kaluar dot, çetat dhe hordhitë çetnike serbe, që donin ta terrorizonin dhe ta shfarosnin popullin shqiptar jo vetëm të asaj ane!
Babai i Nazmiut, axha Hasim, gjatë aksionit të armëve ishte rrahur dhe torturuar mizorisht!
Ky burrë me zemër të madhe shqiptare nuk e kishte dorëzuar armën e luftës për liri, nuk e kishte dorëzuar pushkën e luftës me të cilën kishte luftuar në frontet e Kitkës, nuk u kishte thënë xhelatëve nuk kam pushkë, por e kam dhe nuk e dorëzoj!
Imagjinojeni, të nderuar të pranishëm, se çka ka regjistruar kujtesa e fëmijës së vogël Nazmi Hoxha kur e ka parë të nxirë trupin e babait të tij nga torturat dhe rrahjet!
A thua vallë sa herë t’ia ketë plasur vajit Nazmiu i vogël, kur e ka ndjerë gjëmën dhe rënkimet e mëdha të babait të tij të dashur, të dërrmuar nga rrahjet dhe goditjet e pashpirta të udbashëve të Rankoviqit?
Në një gjendje të tillë e kishte jetuar fëmijërinë e moshës 5-6-vjeçare njëri prej dalzotësve të ardhshëm të Kosovës, Nazmi Hoxha!
Dua ta bëj një krahasim, që opinioni përfundimisht ta mësojë njëherë e përgjithmonë!
Gjilani në historinë e tij të qëndresës para torturuesve të tmerrshëm e gjakpirësve antishqiptarë ka njohur gjigantin Rexhep Malaj, i cili përballë xhelatëve e kriminelëve si Selim Brosha me këlyshët e tij, deklaronte: unë e kam teknikën që kemi shtypur trakte e materiale të luftës për liri, e di vendin ku është, dhe nuk ju tregoj, nuk jua jap!
Edhe Hasim Hoxha, babai i Nazmiut që po e nderojmë sot, nuk e dorëzoi pushkën e lirisë, ngjashëm si më vonë çeliku i burgjeve, Rexhep Malaj!
Motra dhe vëllezër!
Të gjithë e dimë se Cërnica është vendlindja e Tribunit të Kombit Ramiz Cërnica.
Tribuni i Kombit, pas daljes nga burgu, për shkak të presionit të UDB-së, u detyrua të shpërngulej në fshatin Katuni i Ri të Komunës së Ferizajt!
Në shtëpinë ku kishte lindur, jetuar dhe vepruar Ramiz Cërnica, atë shtëpi e bleu dhe u vendos për të jetuar me familje Hasim Hoxha, babai i Nazmiut!
E shihni, të nderuar të pranishëm, se asgjë rastësisht nuk ndodh në këtë botë!
Në moshën 13-vjeçare Nazmi Hoxha e fillon jetën në kullën e lavdishme të Ramiz Cërnicës!
Oda e Tribunit të Kombit, që ishte dëshmitarja reale të cilën e kishin vizituar me dhjetëra e qindra atdhetarë e patriotë, vazhdonte misionin e saj historik, priste dhe përcillte atdhetarë dhe veprimtarë të rinj të luftës ilegale politike. Kulla e Ramiz Cërnicës, më vonë kulla e Nazmi Hoxhës, priste e përcillte njerëz të cilët direkt ishin të përfshirë dhe drejtonin luftën politike ilegale për Republikën e Kosovës, si Rexhep Malajn, Hydajet Hysenin, Bejtullah Tahirin, etj…!
Nazmi Hoxha në fund të vitit 1970 organizohet në Lëvizjen Revolucionare për Bashkim me Shqipërinë që drejtohej nga simboli i rezistencës Adem Demaçi dhe më vonë është njëri prej themeluesve, aktorëve dhe faktorëve relevantë për Gjilan dhe Anamoravë në (Grupin Marksist-Leninist të Kosovës), GMLK!
Veprimtaria atdhetare e patriotike e Nazmi Hoxhës ishte shumë e begatë, ajo ishte e drejtuar drejt zgjimit dhe vetëdijesimit të të gjitha shtresave të popullit tonë!
Në Cërnicë dhe Gjilan edhe sot është e freskët shfaqja madhështore e dramës “Shtatë Shaljanët” nga grupi dramatik “Zgjimi”, të cilin e udhëhiqte Nazmi Hoxha!
Atdhetari Nazmi Hoxha, ashtu si edhe e tërë kolona e pafund e veprimtarëve të tjerë në Kosovë e vise, në planë të parë, çështje mbi çështjet, kishte luftën për çlirimin e Kosovës, pastaj familjen, e krejt në fund veten!
Ngjarjet e vitit të madh 1981, ajo epokë e lavdishme e luftës së popullit tonë për liri, ishte viti që nxori në skenë emra të mëdhenj të luftës së organizuar politike ilegale!
Nazmi Hoxha, edhe pse besoj se të gjithë e dini se cili është, dua t’ua tregoj personalisht, dhe kjo vlen veçanërisht për gjeneratat e reja!
Është ky, këtu i ulur në rend të parë, i pari!
Dhe, të nderuar të pranishëm, kjo foto është bërë këtu afër neve që jemi këtu, disa metra larg, në sallën e madhe të Gjykatës së Qarkut!
Në bankën e të akuzuarve ajo pamje që po shihni këtu, ishin 16 shqiptarë, që ishin të organizuar politikisht dhe vepronin aktivisht për përmbysjen e regjimit antishqiptar titist!
Sot 29 vjet nga ajo kohë, kur është bërë ajo fotografi e famshme që ka pushtuar mediet botërore, Kosova është e lirë dhe e pavarur, Republikë e njohur dhe e pranuar ndërkombëtarisht ashtu siç e dëshironin jo vetëm këta bijë të lavdishëm që po i shohim në foto por, edhe i tërë populli shqiptar!
Për Kosovën Republikë, këta bijë në emër të popullit u dënuan 105 vjet burgim, kurse udhëheqësi i grupit, Nazmi Hoxha, që ishte edhe simboli i këtij grupi, u dënua 15 vjet burgim!
Në popull gojë më gojë barteshin fjalët: Hej e dënuan grupin e Gjilanit, kuku sa shumë i kanë dënuar o Zot, po kotë e kanë titistët e shërbëtorët e tyre, se ata e kanë drejt dhe do të fitojmë kurdoherë, etj…!
Kurse tabori antishqiptar çirrej: po ata nuk janë mirë me mend, donë me na nda prej Jugosllavisë e me na bashku me Shqipërinë, po donë me na përça vëllazërim-bashkimin, por kemi me i kalbë nëpër burgje e kemi me ua shkatërruar familjet, duhet të jenë simboli i varfërisë dhe i mjerimit, nuk do t’i lejojmë të shkollohen, dhe kështu do të arrijmë ta kërdisim popullin prej tyre!
Do të ishte në nderin e historisë së Gjykatës së Qarkut të Gjilanit, të prokurorëve, të gjyqtarëve, avokatëve dhe tërë personelit patriot e atdhedashës, por edhe strukturave komunale të Gjilanit, që kjo foto, tanimë historike, e këtyre burrave të mëdhenj të Gjilanit dhe tërë Kosovës, të vendoset në hollin qendror të ndërtesës së Gjykatës dhe të qëndrojë në mure përgjithmonë, si dëshmi e padrejtësisë nga ish-Jugosllavia pushtuese!
Prandaj, kërkoj nga Gjykata e Qarkut të Gjilanit, gjegjësisht nga kryetari i Gjykatës, z. Zyhdi Haziri, që ta marrin në konsideratë këtë propozim, sepse është realizuar e po shkon drejt realizimit tërësor programi i tyre politiko-patriotik për Kosovën, ngase ata janë heronjtë e vërtetë të proceseve antishqiptare gjyqësore në Komunën e Gjilanit!
Të nderuar të pranishëm,
ashtu si shumë veprimtarë e atdhetarë të tjerë që janë torturuar e rrahur barbarisht nëpër zyrat e UDB-së dhe qelitë e mykura të burgjeve të Gjilanit, Kosovës, Serbisë dhe ish-Jugosllavisë, edhe Nazmi Hoxha, të cilin po e nderojmë dhe përkujtojmë sot, është nga më të torturuarit, nga më të rrahurit e nga më të përgjakurit. Apo thënë shkurt, pas çelikut të qëndresës nëpër burgjet e ish-Jugosllavisë, Heroit të Kombit Rexhep Malaj, Nazmi Hoxha është më i torturuari e më i dërmuari fizikisht i grupit të Gjilanit!
Ah sa shumë gjak është derdhur për hunde e goje, sa shumë brinjë, krah, duar e këmbë janë thyer nëpër lokalet famëkëqija të UDB-së e nëpër qelitë e burgut të Gjilanit!
Sa shumë dhëmbë kanë mbetur të thyer nëpër dyshemetë e zyrave të udbashëve-xhelatë serbo-shqiptarë, disa prej të cilëve edhe sot e kësaj dite nuk janë penduar e turpëruar, por as drejtësia e shtetit të Republikës së Kosovës nuk i ka vënë përpara përgjegjësisë!
Nazmi Hoxhës, të nderuar motra dhe vëllezër të pranishëm, vetëm një herë në një nga ditët dhe netët e rënda të jetës së tij, i lidhur këmbë e duar me zinxhirë, gjatë torturave tmerruese i janë dhënë 240 goditje me kërbaç, e përsëris, 240 goditje kërbaçi, pendreku apo palicë siç i kanë thënë pushtuesit, dhe shufra e gomës, pra kërbaçi, është këputur në trupin e përgjakur e të shkatërruar të Nazmi Hoxhës, dhe xhelati shqiptar i ka thënë: irredentist po më mbetesh borxh edhe 60 copa kërbaçi, por nesër do t’i jap se sonte edhe jam lodhur!
E shihni se si është rrahur e torturuar Nazmi Hoxha e shokët e tij! Vetëm pse kanë vepruar dhe kanë luftuar për Kosovën Republikë dhe bashkimin e saj me Shqipërinë!
Dua t’ju rrëfej edhe diçka që padyshim se është trishtuese, pas asaj rrahjeje shtazarake që ka përjetuar, koka i është ënjtur në përmasa tmerri dhe ka pasur aq shumë dhembje nga goditjet sa nuk ka mundur ta vendosë as në jastëk, i cili padyshim se nuk ishte i butë siç duhet, por jastëk burgu, i fortë dhe i papastër i tëri!
Atë natë ka vendosur diçka nën qafë dhe ka fjetur ashtu siç mund ta paramendoni!
Pas një kohe i ka rënë tërë lëkura e fytyrës, nuk ka mundur ta shikojë në pasqyrë sepse nuk e kanë lejuar, por e ka vërejtur sepse i ka mbetur në duar, kur i ka fërkuar sytë!
Kështu është keqtrajtuar ky burrë i cili hëngri dajak, grushte e shqelma nëpër zyrat kasaphane të UDB-së së Gjilanit, ashtu si edhe shumica e shokëve të Tij!
Qëndrimi i tij në burg ishte burrërorë dhe i vendosur, kështu tregojnë shokët që kanë vuajtur me të si në burgun e Gjilanit, Leskovcit, Titovo Uzhicës dhe Pozharevacit!
Nazmi Hoxha kishte lënë boshllëk të madh në lëvizjen politike ilegale të organizuar, e cila me shumë vështirësi e merrte veten, por edhe familjes i kishte shkaktuar vështirësi të mëdha ekonomike!
Babai në moshë axha Hasim dhe vëllai Sami Hoxha ishin të vetmit krah pune që mbanin familjen!
Samiu, edhe pse arsimtar në shkollën fillore të Cërnicës, e ndjej për obligim ta bëj publike për tërë opinionin e gjerë, me traktorin e tij, për ta mbajtur gjallë familjen, për të mos u nënshtruar dhe për t’i shkuar me paketë e në vizita të rregullta Nazmiut nëpër burgje ku dergjej, me vite të tëra i kishte lëvruar pothuajse tërë arat e Cërnicës, por edhe të fshatrave të tjera për rreth!
Ishte jetë e rëndë ajo!
Ishin kohë të vështira atëherë, pushtuesit dhe tradhtarët i izolonin në maksimumin e mundshëm familjet e atdhetarëve, për të dhënë shembullin në popull se kush është kundër regjimit titist e kundër vëllazërim-bashkimit me Serbinë, pra kush kërkon Republikë për Kosovën, shiheni dhe binduni se çka i gjen ata dhe familjet e tyre!
Dua të rrëfej një ngjarje të cilën unë vetë e kam parë me sytë e mi. Në kohën kur ishte në burg Nazmi Hoxha, pjesëtarët e familjes së tij jetonin në kushte të vështira e shumë të rënda ekonomike!
Në bodrumin e shtëpisë ku ata jetonin, kur shkova njëherë për vizitë, u shtrua sofra e bukës!
Ju lutem mbajeni mend!
Të gjithë fëmijët e Nazmiut: Arbeni, Arbenita, Kushtrimi dhe Ngadhnjimi, por edhe dy fëmijët e mëdhenj të Samiut, Liria dhe Petriti, u ulën në sofër!
Para tyre kishin nga pak djathë dhe një vezë të fërguar dhe bukë, natyrisht!
Të gjithë e ngjyenin kafshatën e bukës në pjatën që ishte veza e fërguar, dhe asnjëri nuk e merrte as një copë, u ngritën nga sofra fëmijët, bukën e hëngrën, ndërsa veza e fërguar mbeti në masë të madhe në pjatën që ishte në sofër!
Kështu vëllezër e motra, jetonin fëmijët e të burgosurit politik Nazmi Hoxha, i shikoja me lot në sy…, vuanin padrejtësisht këta fëmijë, vetëm e vetëm pse e kishin babin dhe xhaxhin e tyre në shërbim të luftës për Republikën e Kosovës!
Jam thellë i bindur, por edhe i informuar për kohën, se shumë familje atdhetarësh kanë pasur të njëjtin fat dhe kanë përjetuar e jetuar të njëjtat vështirësi, që ka ditur t’ua krijonte vetëm UDB-a dhe LKJ-ja Jugosllave e më shumë ajo shqiptare e Kosovës!
Të nderuar të pranishëm!
Nazmi Hoxha kur doli nga burgu, pa as më të voglin hezitim e vazhdoi luftën e organizuar politike ilegale.
10 vjet pas, lëvizja politike ilegale ishte forcuar dhe konsoliduar, ishte masovizuar dhe kishte filluar të bëhej tmerri i pushtetit politik titist në Kosovë e vise.
Atdhetari Nazmi Hoxha menjëherë pas daljes nga burgu u aktivizua në LPK!
Por, pas daljes nga burgu Nazmi Hoxha kishte konkurruar të punonte në shkollën fillore në Cërnicë, në të njëjtën shkollë ku kishte punuar edhe para se të burgosej, por nuk u pranua në procesin mësimor sepse drejtori i shkollës bashkë me pedagogun e tij kishin shkuar në shkollën e lartë në Gjakovë për ta verifikuar në ishte apo jo i diplomuar Nazmi Hoxha!
Meqë Nazmiu kishte edhe dy provime pa diplomuar, sepse e kishte penguar burgosja e gjatë, nuk e pranuan dhe në vend të tij sollën një djalosh të mjerë historie nga Pozherani.
E përmenda këtë rast, sepse ditën kur i është verifikuar dosja universitare Nazmiut në Gjakovë, të njëjtën ditë Nazmiu së bashku me Nexhmedin Sherifin, njërin prej komandantëve të UÇK-së, komandant Bardhin e ardhshëm luftës të Zonës së Llapit, mblidhte ndihma për vëllanë e paralizuar të pedagogut, Avni Sherifin!
Sa poshtërsi e madhe ka ngjarë kundër Nazmi Hoxhës nga drejtoria e shkollës së Cërnicës!
Duke mbetur i papranuar në shkollë, rrugën e punësimit në administratë e kishte të ndaluar, sepse pushteti e konsideronte armik të Serbisë, në shenjë respekti dhe ndihme e merr në punë në biznesin e tij privat, në firmën “Korabi”, afaristi nga Cërnica, Musli Arifi!
Më 26 shtator 1991 Nazmi Hoxha u caktua delegat i Rrethit të LPK-së së Gjilanit për në Mbledhjen e Tretë të Përgjithshme në Ujmir të Drenicës!
Votën me unanimitet në Kryesinë e Këshillit të Rrethit të LPK-së për të shkuar delegat në Mbledhjen e Tretë të Përgjithshme ia kam dhënë unë Ismet Sylejmani në cilësinë e anëtarit të Komitetit Drejtues të LPK-së, pastaj anëtarja e Kryesisë së Këshillit të Rrethit të LPK-së, Lirie Abdurrahmani-Kajtazi, e cila pas lufte ishte nënkryetare e Komunës së Gjilanit dhe zv. ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në Qeverinë e Kosovës dhe anëtari tjetër i Kryesisë së Këshillit të Rrethit, Ahmet Alia, drejtor aktual i Shkollës Fillore “Selami Hallaqi” në Gjilan!
Delegatë në Mbledhjen e Tretë të Përgjithshme të LPK-së, ku ishte Nazmi Hoxha, përpos të tjerëve, ishin edhe figura të njohura si kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Ramiz Lladrovci etj…!
Në atë mbledhje, pra në Mbledhjen e Tretë të Përgjithshme në Ujmir të Drenicës që u mbajt në tetor 1991, u zgjodhën organet drejtuese të Lëvizjes!
Në Kryesinë e LPK-së, krahas emrave të dëgjuar si Gani Syla, Hydajet Hyseni, Mehmet Hajrizi, Azem Syla, Ramë Buja, Ramadan Avdiu etj., u zgjodh edhe Nazmi Hoxha!
Kryesia e LPK-së ka mbajtur mbledhjet e saj në vende të ndryshme, por njërën nga ato i ka mbajtur edhe në shtëpinë e heroit të kombit Afrim Zhitia, ku i ka pritur me shumë bujari dhe ruajtur me shumë vigjilencë axha Osman!
Pas kësaj Nazmi Hoxha së bashku me njërin prej shokëve më të mirë e veprimtarin e dalluar të LPK-së, ish-kryetarin e Këshillit të Rrethit, Xhevat Qerimin, themelojnë firmën e përbashkët private “Qëndresa” dhe fillojnë me afarizëm të suksesshëm!
Vështirësi kishte shumë, sepse kishte mbi supe obligime të luftës politike ilegale, ishte nën mbikëqyrje të rreptë të policisë serbe, por ai nuk ndalej, ishte luan i vërtetë, asgjë nuk e zmbrapste!
Mbledhja e Tretë e Përgjithshme e LPK-së, kishte hedhur bazat e fillimit të përgatitjes së luftës së armatosur, dhe Nazmi Hoxha angazhohej për të vënë në jetë ato vendime!
Në verën e vitit 1992, pasi ishin grumbulluar një sasi e madhe e frangave zvicerane dhe markave gjermane, në Gjilan dhe rrethinë, bashkë me shokët e tij Xhevat Qerimin, Ahmet Demirin, Nijazi Idrizin, Ahmet Aliun, Sabit Rexhepin etj., në koordinim me veprimtarin e njohur të Kumanovës, drejtuesin e LPK-së, Arif Seferin, nisen për në Bullgari për të blerë armë për përgatitjen e luftës në Kosovë!
Në kufirin mes Maqedonisë dhe Bullgarisë, automjeti i tyre “Golf”, pronë e veprimtarit Xhevat Qerimi, pasi kontrollohet imtësisht, zbulohen devizat e fshehura, ata të tre arrestohen, kurse 45 000 frangat zvicerane dhe 10 000 markat gjermane, edhe automjeti, konfiskohen!
Nazmiun dhe Xhevatin i lirojnë maqedonasit pas dy ditësh, ndërsa veprimtarin Arif Seferi maqedonasit e prangosin dhe e transferojnë në burgun e Idrizovës dhe nga aty i gjallë nuk del, sepse pas dy ditësh e mbysin barbarisht në tortura!
Pas këtyre ngjarjeve që i ndodhën në rastin e armëve dhe pas arrestimeve në gusht të vitit 1993 të shumë anëtarëve të Kryesisë së Këshillit të Përgjithshëm të LPK-së, në mesin e të cilëve edhe të Xhavit Hazirit, Ahmet Haxhiut, Bajrush Xhemalit etj., Nazmiu u detyrua të largohej nga Kosova për në Shqipëri!
Krahas angazhimeve për çlirimin e Kosovës, në Shqipëri, konkretisht në Rogozhinë hapi edhe një biznes privat me shokun e bashkëluftëtarin e tij, Xhevat Qerimin!
Ngjarjet e njohura të skemave piramidale në Shqipëri i shkaktuan dëme të pariparueshme dhe favoret për një biznes stabil në Shqipërinë e asaj kohe ishin të pamundura!
Në atë kohë mbijetonte me mundime të mëdha, ndërsa kontributin e tij në drejtim të luftës nuk e ndalte!
Në shtëpinë e Nazmi Hoxhës në Durrës shumë personalitete të njohura kanë hyrë dhe dalë!
Shumë nga ata burra e gra që kanë qëndruar e u ka dhënë bukë në sofrën e tij Nazmi Hoxha, ishin figura të mëdha të luftës së UÇK-së, por edhe u shndërruan në heronj e dëshmorë të ardhshëm të Kosovës e të popullit shqiptar!
Te Nazmiu ishin heroi i kombit Fehmi Lladrovci me bashkëshorten e tij, heroinën Xhevë Lladrovcin, simboli i thyerjes së kufirit Kosovë – Shqipëri, heroi i kombit Agim Ramadani, heroi i kombit Abdullah Tahiri, dëshmori i kombit Urim Mehmeti, por edhe personalitete të shquara si Hydajet Hyseni, Berat Luzha, Xhevat Ademi, Bajrush dhe Emrush Xhemajli, Azem Syla, Ramë Buja, Emin Krasniqi, Basri Musmurati, Sami Kurteshi, Ramadan Avdiu, Kadri Kryeziu, Bislim Elshani, Neriman Braha etj., por edhe nga fshati i tij si Musa Bllaca, Avdyl Hasani e shumë të tjerë!
Duke folur në pika të shkurtra për jetën dhe veprën e Nazmi Hoxhës, u zgjata pak shumë, por nuk arrita t’i them tërë të bëmat e mëdha të tij në luftë për lirinë, çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës!
Të nderuar të pranishëm!
Cilit institucion nuk do t’i bënte nder emri i Nazmi Hoxhës?
Nazmi Hoxha personifikon luftëtarin e madh e të devotshëm të Atdheut!
Unë propozoj që shkollës së “Lagjes VIII” në Gjilan t’i vihet emri i Nazmi Hoxhës, sepse ajo është pa emër!Besoj se jeni dakord ju që jeni këtu dhe institucionet që do të merren me propozimin në të ardhmen!
Lavdi jetës dhe veprës së Nazmi Hoxhës!
Lavdi të rënëve në luftë për liri!
Faleminderit!
Gjilan, 5 dhjetor 2011!