Gjilani nis fushatën sensibilizuese “Vendose maskën, shpëto jetën”
Komuna e Gjilanit në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka nisur sot aktivitetin “Vendose maskën, shpëto jetën”, ku janë të angazhuar të rinjtë e shkollave të mesme dhe organizatave të ndryshme jo-qeveritare, në shpërndarje të maskave dhe vetëdijësim të qytetarëve për masat mbrojtëse anti-Covid-19.
Nënkryetari i Komunës, Arbër Ismajli, ka falënderuar Policinë e Kosovës për angazhimin permanent në vetëdijesim dhe këshilla për qytetarët në respektimin e masave mbrojtëse. “Ekipet e të rinjve që dalin sot në terren së bashku me Policinë e Kosovës, e bëjnë këtë për sensibilizimin e qytetarëve në përdorimin e masave mbrojtëse. Kjo mbetet mënyra e vetme e luftimit të pandemisë globale. Apelojmë që të vazhdohet me respektimin e rekomandimeve të institucioneve të shtetit, për bartjen e maskave, dezinfektuesve dhe ruajtjen e distancës sociale, në mënyrë që sa më pak të rezultojnë raste me infeksion dhe sa më shpejtë ta kalojmë këtë situatë”, ka thënë Ismajli.
Ndërsa, major Alban Ramushi, komandant i Stacionit të Policisë në Gjilan, ka thënë se bazuar në raportet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës, duhet të dimë se virusi është shumë më afër se ajo që jemi duke menduar dhe për këtë duhet një vetëdijësim i të gjithë qytetarëve duke mos e neglizhuar në asnjë moment infeksionin. “Virusi është shumë më afër se që ne mendojmë. Kjo është dëshmuar në raporte të rregullta të IKSHP-së, prandaj duhet të bartim maskat, të mbajmë distancën dhe kështu secili ta mbroj familjen e vet. Kujdesi duhet të jetë për të gjitha moshat pa dallim, sepse nuk ka përzgjedhje të moshës se kush infektohet e kush jo”, ka thënë Ramushi.
Në këtë aktivitet ka folur edhe drejtoresha e DRKS-së, Deniza Limani, e cila ka njoftuar se në këtë aktivitet janë Këshilli i Nxënësve të Gjilanit, Këshilli i Veprimit Rinor Lokal, organizata Fuqia e Bashkimit Rinor dhe organizatat tjera në mënyrë që sensibilizimi të jetë sa më i gjerë.