Gjilani, ofertë joshëse për Ylli Shametin
“Hajde firmos me ne, do të japim më tepër se sa merrje te Kukësi”. Gjilani i Gentian Mezanit nuk njeh limite në merkaton e verës. Pasi ka “rrëmbyer” disa lojtarë cilësorë të kampionatit shqiptar, së fundmi klubi kosovar i ka bërë një ofertë shumë joshëse ish-kapitenit të Kukësit, Ylli Shameti.
“Panorama Sport” zbulon nga burime të sigurta pranë klubit Kosovar, se ditët e fundit drejtuesit e Gjilanit kanë pasur bisedime konkrete me Shametin. Mësohet se ky i fundit ka kërkuar një shifër të majme paradhënie dhe një pagë që shkon thuajse sa ajo që merrte te Kukësi në sezonin e fundit (5 milionë lekë të vjetër në muaj).
Megjithatë, asgjë nuk është e sigurt, pasi parësore për qendërmbrojtësin është të qëndrojë në kampionatin shqiptar. Përveç ekipit të vendlindjes, Luftëtari, që i ka bërë një ofertë zyrtare, Shameti ka sinjale edhe nga Tirana, por pa u future në detaje.