Gjilani po e trajton rastin e fundit me Covid-19, krijon listën e kontakteve
Është mbajtur sot takimi i Qendrës Operative Emergjente të Gjilanit, me përfaqësuesit e institucioneve lokale dhe rajonale për menaxhimin e pandemisë Covid-19, nën udhëheqjen e nënkryetarit Arbër Ismajli.
Është bërë me dije se ekipet nga shëndetësia primare, ajo regjionale, pastaj Qendra Rajonale e Shëndetit Publik, Policia e Kosovës dhe ekipi komunal për menaxhimin e emergjencave, është duke mbledhur listën e kontakteve dhe të gjithë ata që kanë kontaktuar me rastin e mbrëmshëm, janë futur në vetizolim për dy javët e ardhshme.
Në këtë takim është konfirmuar se rasti i cili ka simptomat e Covid-19, është në kontakt të vazhdueshëm nga ekipet e Qendrës Rajonale të Shëndetit Publik në Gjilan dhe në bazë të masave preventive, janë duke u mbledhur informacionet për kontaktet e tij në mënyrë që gjithçka të jetë nën kontroll.
Përgjithësisht është theksuar se gjendja është nën kontroll dhe nuk ka vend që qytetarët të shqetësohen, por apeli është që të qëndrojnë në shtëpi dhe të vetëpërmbahen, sepse mundësia e përhapjes së virusit është më e vogël.
“Lusim shumë qytetarët e Komunës së Gjilanit që të qëndrojnë në shtëpi, sepse daljet e panevojshme nga shtëpia janë rrezik për infektim me Covid-19, por njëkohësisht edhe infektim të anëtarëve të familjes, që më pas edhe mund të ketë pasoja në shëndetin e tyre. Mos u bëni shkaktarë që virusin ta merrni nga jashtë e ta sillni në familjet tuaja. Familja është e shenjtë, është qeliza dhe shtylla e shtetit, prandaj ju lutem mbrojeni atë duke qëndruar në shtëpi dhe me kujdes maksimal”, ka thënë Ismajli.