Gjilani po i bën përgatitjet e fundit për hapjen puseve të reja
Komuna e Gjilanit në bashkëpunim me kompaninë regjionale të ujërave “Hidromorava”, është duke i bërë përgatitjet e fundit për hapjen e puseve të reja, si formë emergjente e zgjidhjes problemit të ujit të pijshëm.
Lajmi është bërë me dije të mërkurën pas vizitës së nënkryetarit të Gjilanit, Arbër Ismajli dhe drejtorëve komunalë, Naser Korça e Nevzad Rushiti, në KRU “Hidromorava”, ku janë pritur nga drejtori Muhamet Suliqi.
“Përpos puseve që janë funksionalizuar, bashkë me ‘Hidromoravën’ jemi duke i bërë hulumtimet e fundit të burimeve alternative për hapjen edhe të puseve të tjera”, ka thënë Ismajli.
Ismajli e Suliqi janë shprehur se pas miratimit të buxhetit të shtetit nga Kuvendi i Republikës, kësaj komune pritet t’i ndahen afro 500 mijë euro, që llogaritet si zgjidhje emergjente, ndërkaq që zgjidhja afatmesme është vlerësuar ndërtimi i pendës në lumin Llapushnica.
Gjilani është furnizuar nga katër burime të ujit të pijshëm, ku në kohën e normalitetit janë prodhuar mbi 300 litra për sekondë, ndërsa tash prodhohen pak më shumë se 100 litra për sekondë.
Ismajli e Suliqi kanë thënë se hapja e pesë puseve të reja brenda kazermës së FSK-së, kanë bërë që prodhimi të shtohet për afro 30 litra për sekondë.