Gjilani po shkëlqen, por futbollistët janë pa paga që dy muaj
SC Gjilani e ka filluar në mënyrën më të mirë të mundshme fillimin e sezonit në elitën e futbollit kosovar.
Pas pesë ndeshjeve të para, nën urdhrat e trajnerit Zekirija Ramadani kuqebardhët nuk kanë asnjë disfatë, duke fituar katër ndeshje, ndërsa ka barazuar vetëm në udhëtim te Drenica.
“Skifterat” janë duke kryesuar kampionatin me 13-të pikë, katër më shumë se përcjellësi i dytë, Ballkani që ka dy ndeshje më pak të zhvilluara pas angazhimeve në garat evropiane.
Në emisionin “Sports Show” në Klan Kosova, analisti i përhershëm Arben Zeqiri ka komentuar formën e mirë që po kalon Gjilani, ndërkohë ka zbuluar se lojtarët e Gjilanit nuk janë paguar në dy muajt e fundit.
“Lojtarët e Gjilanit kam dëgjuar se nuk janë paguar në dy muajt e fundit, para disa viteve Gjilani e kishte filluar pikërisht kampionatin në mënyrë të tillë, por edhe në atë kohë kishte probleme me pagat”, ka shtuar Zeqiri për “Sports Show”.
Të dielën me fillim nga ora 15:00, Gjilani luan pranë publikut të tyre, ku do të jenë nikoqir të Prishtinës në javën e gjashtë të futbollit kosovar.