Gjilani shënon 22-vjetorin e Betejës së Zhegocit
Me homazhe tek varrezat e dëshmorëve dhe tek lapidari në Zhegoc, institucionet komunale të Gjilanit, të udhëhequra nga kryesuesja e Kuvendit, Shpresa Kurteshi-Emini, kanë shënuar 22-vjetorin e Betejës së Zhegocit.
Kryesuesja Kurteshi-Emini, ka thënë se amaneti i dëshmorëve dhe të rënëve për liri, është detyrë për të gjithë ne që të punojmë më shumë dhe ta bëjmë Kosovën shtet me rrugën e fuqishme drejt integrimeve euroatlantik.
“Ne do të nderojmë në vazhdimësi të gjithë të rënët për liri. Kujtojmë dhe përulemi para të gjithë të rënëve që nga foshnja e deri te të moshuarit, të cilët dhanë jetën e tyre që ne sot të jetojmë të lirë. Amaneti i dëshmorëve dhe të rënëve për liri, është detyrë për të gjithë ne që të punojmë më shumë dhe ta bëjmë Kosovën shtet me rrugën e fuqishme drejtë integrimeve euroatlantike, zhvillimit ekonomik dhe ndërtim të sigurisë për të gjithë qytetarët pa dallime”, ka thënë Kurteshi-Emini.
Ish-komandanti i UÇK-së në Zonës Operative të Karadakut, Ahmet Isufi, ka thënë se Beteja e Zhegocit radhitet si njëra nga betejat më të lavdishme të kësaj zone, e cila ka sjellë ditët e lirisë.
Ndërsa drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, Deniza Limani, ka thënë se për shkak të pandemisë Covid-19, nuk kanë mund të organizojnë akademi përkujtimore.
Në Betejën e Zhegocit kanë rënë heroikisht tetë ushtarë të UÇK-së: Pajazit Ahmeti, Alban Ajeti, Hanumshahe Abdullahu, Tefik Zymberi, Sahit Baftiu, Shahin Baftiu, Kastriot Baftiu, Njazi Osmani, si dhe 18 civilë, ndërsa në fshatin Sllovi janë vrarë 49 civilë.