Gjilani do të bëhet me dy stadiume
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), me financim të organizatës më të madhe të futbollit FIFA, do t’i ndërtojë dy stadiume ndihmëse në Gjilan.
Lajmin e ka bërë me dije kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, në mbledhjen e Bordit të Drejtorëve.
“Tashmë veç është punë procedurash dhe pritet të nisë ndërtimi i këtyre stadiumeve, pas stadiumit me standarde të FIFA-s, rindërtimin e të cilit e kemi filluar muaj më parë. Me këto stadiume do të rritet jashtëzakonisht shumë niveli i futbollit dhe klubet e sportistët tanë do ta kenë shumë më të lehtë funksionimin”, ka thënë Haziri.
Përndryshe, muaj më parë Komuna e Gjilanit ka nisur me rindërtimin e stadiumit të qytetit, i cili ka kosto mbi pesë milionë euro dhe do të ndërtohet në tri faza.