Gjilani të premten organizon garën e atletikës për fëmijë
Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport e Komunës së Gjilanit, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Federatës së Atletikës së Kosovës, të premten do ta organizojnë garën e atletikës për fëmijë.
Ushtruesja e detyrës e kësaj drejtorie, Deniza Limani, ka deklaruar se aktiviteti i llojit të tillë organizohet për herë të parë në Gjilan dhe ka për qëllim që fëmijët e klasave të pesta t’i argëtojë nëpërmjet aktivitetit fizik dhe lojërave, ndërkaq mbahet në stadiumin ndihmës.
“Secili fëmijë do të kalojë në stacionet e 12 lojërave gjatë programit dhe aktiviteti nuk do të jetë i karakterit garues. Qëllimi është argëtimi i fëmijëve, por edhe mundësia e fëmijëve që t’i paraqesin aftësitë e tyre lëvizore. Programi në vete pasqyron vlerat e aktivitetit fizik, disiplinës, respektit, socializimit andaj mund të themi se ka edhe karakter edukativ”, ka deklaruar Limani.
Në këtë aktivitet fëmijët do ta kenë mundësinë që brenda dy orëve të praktikojnë shumë disiplina të përafërta të sportit të atletikës në 12 stacionet e aktivitetit.
Ky program i atletikës për fëmijë është realizuar në shumë kryeqytete dhe qytete të ndryshme të botës dhe është i njohur me emrin “Kids Athletics”.
/Epoka e re/