Gjilani vazhdon mobilizimin kundër koronavirusit
Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, ka mbledhur sot Komisionin komunal për emergjenca, udhëheqësit e Policisë së Kosovës, të shëndetësisë primare, të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik dhe Spitalit Regjional, ku nga informatat e fundit është konfirmuar gjendje e qetë dhe pa raste të dyshuara për koronavirus.
Ismajli ka thënë rekomandimet e institucioneve komunale dhe atyre të komisionit emergjent janë duke iu përmbajtur në mënyrë perfekte qytetarët në përgjithësi, komuniteti i biznesit dhe të gjithë punëtorët që në këto ditë janë duke dhënë shërbimet e tyre.
Nga ky takim është konfirmuar gjithashtu se edhe shërbimet e ndërmarrjeve publike janë duke u kryer në bazë të detyrës që e kanë por me staf të reduktuar.
Është potencuar që të gjithë qytetarët të cilët kanë simptomat e dyshuara me këtë virus menjëherë të lajmërojnë ekipet mjekësore të shëndetësisë primare dhe të respektohet metoda e vetizolimit apo garantimit.
“Për çdo rast, qytetarët mund të kontaktojnë këta numra, të cilët janë në dispozicion për 24 orë: 112, 192, 193 dhe 194”, ka njoftuar Komuna e Gjilanit.