Gjimshiti: Gasperini ndryshoi gjithçka, tani jam kthyer në formë
Berat Gjimshiti ka qenë një nga futbollistët më të rëndësishëm të Atalantës në vitet e fundit. Mbrojtësi shqiptar është pjesë e skuadrës zikaltër që nga janari i vitit 2016 dhe kaloi dy sezone si i huazuar, njëherë te Avellino dhe një herë tjetër te Benevento.
Por këtë edicion Gjimshiti nuk po luan shumë pasi në fillim pati një lëndim të rëndë që e mbajti jashtë fushave për rreth dy muaj dhe pastaj humbi vendin e titullarit deri para 1 muaji kur e riktheu atë. Në një intervistë për gazetën italiane “Tuttosport”, Gjimshiti ka folur rreth karrierës së tij te Atalanta, teksa për gjithë sukseset thotë se është meritor trajneri Gian Piero Gasperini.
“Statistikat personale të këtij sezoni me Atalantën janë shumë të rëndësishme për mua. Kur unë u transferova te Atalanta në krye të skuadrës ishte ende Edy Reja si trajner dhe vetëm më pas erdhi Gasperini me të cilin nisëm një cikël fantastik. U kualifikuam në Ligën e Evropës dhe pastaj në Ligën e Kampionëve. Në fillim të aventurës me Atalantën me larguan në huazim për dy sezone, por më pas u riktheva dhe gjithçka ndryshoi”, ka deklaruar Gjimshiti.
Tutje mbrojtësi nga Lugina e Preshevës foli edhe për sezonin aktual, duke thënë se përkundër disa ndeshjeve jo të mira do të rikthehen. “Ky sezon është shumë i balancuar, të gjitha ndeshjet janë të vështira dhe kampionati si rrjedhojë bëhet i komplikuar. Unë besoj shumë te projekti i Atalantës, por edhe te shokët e skuadrës. Kemi kaluar edhe kohë më të vështira, por gjithnjë kemi ditur të rikthehemi. E kemi treguar forcën”, ka shtuar Gjimshiti. Krejt në fund ai foli edhe për lëndimin e pësuar dhe humbjen e vendit të titullarit, duke thënë se rëndësi ka vetëm skuadra të përforcomojë mirë.
“Në dy ndeshjet e para të sezonit unë isha titullar, por më pas erdhi dëmtimi. Pata një problem në sfidën me Milanit pas një dueli me Origin. Më pas kur u riktheva nga dëmtimi ishin të tjerë lojtarë që po bënin mirë në atë moment dhe nuk mund të rikthehesha menjëherë si titullar. Por, nuk asnjë problem në këtë pikë sepse bëhet për të mirën e skuadrës”, u shpreh Gjimshiti.