Gjimshiti: Shqipëria ka shanse, por nuk duhet të kemi frikë
Berat Gjimshiti, mbrojtësi i kombëtares shqiptare, ka dalë para mediave dhe ka folur për duelin e radhës të kuqezinjve kundër Polonisë. Një finale për skuadrën e ekipit të drejtuar nga Edy Reja, për të shpresuar në kapjen e vendit të dytë.
“Ka qenë një sezon shumë i gjatë, sidomos për mua. Kemi zhvilluar shumë ndeshje me klubin dhe kombëtaren. Kemi pasur nevojë për këtë pushim, për t’u rikuperuar. Me kombëtaren kemi bërë hapa para, në këto tri ndeshje do të shohim si do të dalim dhe do ta japim maksimumin për të marrë sa më shumë pikë”, ka thënë Gjimshiti.
“A kemi shanse kundër Polonisë? Sigurisht që po. Kemi bërë hapa pozitivë. Duhet të kemi shumë respekt për Poloninë, pasi ka lojtarë që janë ndër më të mirët në botë. Duhet të shohim skuadrën tonë, të marrim rezultat pozitiv. Lewandowski? Nuk ka shumë për të studiuar. Të gjithë i shohin më të mirët, edhe te Bayerni Lewandowski po shënon gola. Do të jetë një duel shumë i bukur. Do të jap maksimumin tim. Të shohim si do të dalë”, ka deklaruar Gjimshiti.
Mbrojtësi i Atalantës në Itali ka thënë se futbollistët kuqezi nuk duhet të kenë frikë nga kundërshtari.
“Duhet të mos kemi frikë. Nëse frikësohesh, bën gabim në këtë punë. Të gjithë lojtarët kanë fituar përvojë dhe kur luan ndaj lojtarëve të nivelit kaq të lartë, rritet edhe vetëbesimi për secilin futbollist. I gjithë ekipi ka përvojë. Çdo fitore të jep motivimin më të madh. Sa iu përket tifozëve, jam shumë i lumtur që do të kthehen, sepse na kanë munguar”, ka shtuar qendërmbrojtësi shqiptar.