Gjini: Ftoj LDK-në të thërrasë seancë të jashtëzakonshme për taksën dhe ta shpëtojë Kosovën
Nënkryetari i AAK-së, njëherësh edhe kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, i ka reaguar deputetit të LDK-së, Driton Selmanaj, pas deklaratave të tij për taksën që Qeveria e Kosovës ka vënë ndaj mallrave nga Serbia.
Selmanaj ka thënë në emisionin “Pressing”, në televizionin T7, se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhënë porosi të qartë ndaj Kosovës për taksën, dhe ka vlerësuar se kjo masë nuk guxon t’i rrezikojë raportet Kosovë-SHBA.
Por ndaj kësaj deklarate ka reaguar Gjini.
“E ftoj Driton Selmanajn dhe LDK-në ta thërrasin Kuvendin në një seancë të jashtzakonshme për heqjen e taksës ndaj Serbisë. Nëse po ia shohim sherrin taksës, sipas tyre, le ta thërrasin seancen, dhe ta shpëtojnë Kosovën. Nëse nuk e bëjnë një gjë të tillë, do ta vërtetojnë (për të njëqindten herë) se janë krejt oportunistë”, ka shkruar Gjini në llogarinë e vet në “Facebook”.
“E shajnë Haradinajn se e vendosi taksën dhe me tërë qenien shpresojnë që ajo të hiqet, dhe atë aspak për hir të Kosovës, por vetëm që të mund të shajnë prap.
Në të njejtën kohë, as gishtin e vogël nuk e lëvizin për ta bërë realitet atë për çka flasin. Bëhuni të zotët dhe thirreni një seancë të jashtzakonshme. Keni mundësi. Fjalët janë krejt shterpe kur keni mundësinë të veproni”, ka shkruar ai.
Ardian Gjini ka thënë se LDK-ja e ka bërë zakon të thërrasë seanca të jashtzakonshme për çfarëdo temash! “Ajo seancë, të paktën sipas jush, do ta shpëtojë Kosovën!”, ka shkruar Gjini.