Gjini kërkon nga drejtorët të aplikojnë me kohë për projekte
Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, ka mbajtur të martën takimin e parë të Bordit të Drejtorëve, ku drejtorët kanë raportuar për gjendjen aktuale të drejtorive që kanë trashëguar nga ish-drejtorët.
Pas raportimit të secilit prej tyre është konstatuar se në disa drejtori problemet janë më të theksuara, me ç’rast ka ardhur në shprehje edhe rrezikshmëria e humbjeve të granteve nga qeveria qendrore.
Gjithashtu janë përmendur edhe probleme të natyrave të ndryshme të qytetarëve të cilët në kërkim të zgjidhjes së tyre kërkojnë mbështetje eventuale tek institucioni i komunës. Në këtë takim nga kryetari Ardian Gjini është kërkuar që borxhet e trashëguara të mos prezantohen, pasi ato janë ende në kalkulim dhe do të diskutohet më vonë në një takim të veçantë.
Duke pasur fokusimin e tij tek buxheti i vitit 2018, Gjini ka kërkuar nga drejtorët që ta lexojnë atë me kujdes dhe të aplikojnë me kohë në projektet që kanë të bëjnë me komunën e Gjakovës. Kërkesë tjetër e kryetarit Ardian Gjini ka qenë konsolidimi dhe normaliteti në zbatueshmërinë e orarit të punës të punëtorëve.