Gjini mbështet organizimin për Ditën Olimpike dhe Panairin e Sportit
Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Besim Hasani, ka takuar të enjten kryetarin e Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, në vazhdën e takimeve me kryetarë komunash, komunitetin e sportit dhe biznesit.
Presidenti Hasani e njoftoi kryetarin Gjini me benefitet që sjell Ligji për Sponsorizim, duke e inkurajuar të nxisë bizneset për investim në sport. Presidenti i Hasani dhe i pari i Komunës së Gjakovës biseduan edhe për organizimin e Ditës Olimpike 2018, që organizohet më 25 maj dhe Panairin e Sportit 2018, që mbahet në muajin shtator.
Gjakova është njëra prej shtatë komunave të Kosovës që do të organizojnë Ditën Olimpike 2018 në komunën e tyre, me ç’rast kryetari Gjini shprehu edhe një herë gatishmërinë për bashkëpunim dhe organizim sa më të mirë për ta shënuar këtë ditë, por edhe për mbajtjen e Panairit të Sportit 2018. Pas takimit, presidenti Hasani dhe kryetari Gjini, takuan bizneset dhe klubet, të cilave i pari i KOK-ut, ua shpjegoi në detaje rregulloren që përcakton formën, procedurat dhe vërtetimin e sponsorizimit.