Gjini: Më shumë se dy ministra po lypin vende pune te ndërkombëtarët

15 shtator 2023 | 14:17

Ardian Gjini, kryetar i Komunës së Gjakovës, ka bërë një pretendim interesant. Në një prononcim për ATV-në, Gjini ka theksuar se ka ministra të Qeverisë Kurti që po kërkojnë punë diku tjetër.

Më saktësisht, Gjini i përmendi edhe ndërkombëtarët, si njerëz të cilëve po u kërkojnë punë ministrat e kryeministrit Albin Kurti. Në fjalën e tij, z. Gjini theksoi se janë më shumë se dy ministra që po kërkojnë punë.

“Ka ministra të cilët janë t’u lypë vende të punës, janë t’u i lutë të tjerët me iu gjet vende të punës. Ta kesh të sigurt që ka ministra në Qeverinë Kurti të cilët takohen me personalitete të rëndësishme ndërkombëtare dhe kërkojnë vende të punës. Jo pse frikohen për diçka tjetër po kanë mbet aty”, deklaroi ai, transmeton Express.

“E di që sonte më ndijnë, mos u tutni se s’ju përmendi emrat. Po nuk jam veç unë ai që e di këtë fakt, ka shumë njerëz që e dinë”, vazhdoi ai.

Tutje, politikani nga radhët e AAK-së theksoi se është absurd që një ministër të kërkojë vend pune diku tjetër.

“Kur dikush është ministër është absurd i llojit të vet me kërkuar vend të punës për shkak se politika është një aktivitet i cili të mban. Fakti që lypin vende të punës tregon shumë. Janë më shumë se dy, që i di unë, që lypin vende kredibile të punës. Janë të pasigurt, ndihen të pasigurt, kanë dilema”, ka shtuar ai.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Futbollisti i Kosovës, Milot Rashica ka folur edhe një herë…