Gjini premton realizimin e dy kërkesave për Gjimnazin “Hajdar Dushi”
Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, i shoqëruar edhe nga drejtori i Drejtorisë së Arsimit, Bernard Frrokaj dhe bashkëpunëtorë të tjerë, ka qëndruar të mërkurën për vizitë në Gjimnazin “Hajdar Dushi” në Gjakovë.
Gjini është pritur fillimisht nga drejtori i Gjimnazit “Hajdar Dushi”, Bedri Cahani, së bashku me nxënës të këtij institucioni arsimor.
Cahani i ka njoftuar ata për ecuritë e procesit mësimor, për sfidat dhe për bashkëpunimin për trekëndëshin nxënës-arsimtar dhe prindër. Ai ka thënë se përpjekjet e stafit të shkollës janë të vazhdueshme për ngritjen e cilësisë në arsim, për vijimin e rregullt dhe për sigurinë e nxënësve. Gjatë prezantimit të nevojave të shkollës, drejtori Cahani ka kërkuar që sa më parë të ndërtohet rruga që lidhë Gjimnazin me rrugën kryesore si dhe të bëhet ndriçimi i kësaj rruge.
Kryetari Gjini ka thënë se komuna dhe ai personalisht do të angazhohen që këto dy kërkesa të realizohen sa më shpejt që të jetë e mundur, ndërsa krahas kësaj ka potencuar se fokusi i tij primar është ta mbështesë arsimin dhe të ndikojë që ky sektor të avancojë edhe më lart.