
Gjini: Projektet serbe për shkatërrimin e Kosovës, i ka udhëhequr Kurti
Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ardian Gjini, ka kritikuar ashpër politikat e udhëhequra nga kryeministri Albin Kurti, duke e akuzuar atë për dëm të qëllimshëm ndaj Kosovës.
Gjini ka deklaruar se Serbia ka hartuar plane të detajuara për të shkatërruar shtetin e Kosovës dhe se Kurti, me apo pa qëllim, ka qenë udhëheqësi i projekteve që i shkojnë për shtat këtij skenari.
“Serbia ka prodhuar elaborate të shkruara, të publikuara, se çka duhet bërë për ta zhbërë Kosovën. Hapi i parë ka qenë që Kosova të prishet me Perëndimin, veçanërisht me Amerikën. Pjesa e dytë është që të prishet uniteti i brendshëm dhe të dëmtohet solidariteti mes qytetarëve. Hapi i tretë ka qenë degradimi ekonomik i vendit dhe humbja e shpresës për zhvillim. Së fundmi, është synuar që të rritet mosbesimi i qytetarëve në projektin e pavarësisë së Kosovës,” ka deklaruar Gjini në RTV Dukagjini, transmeton Periskopi.
Sipas tij, çdo veprim i Kurtit ka ndihmuar këto objektiva.
“Në anglisht thonë ‘single-handedly’, ai i ka udhëhequr këto projekte. Nuk besoj në njëqind koincidenca. Një apo dy mund të ndodhin, por jo që çdo veprim i tij t’i shkojë për shtat dikujt tjetër,” ka shtuar ai.
Gjini ka kujtuar se Kosova sot është nën sanksione, ndërsa Serbia nuk vetëm që nuk është ndëshkuar, por ka përmirësuar marrëdhëniet me SHBA dhe vende të tjera.