Gjini, qytetarëve të Gjakovës: Respektoni masat anti-Covid
Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, ka marrë pjesë në mbledhjen e rregullt me Shtabin për Menaxhimin e Covid-19.
Gjini ka thënë se nga përfaqësues të institucioneve shëndetësore në Gjakovë është informuar se për momentin situata e përgjithshme lidhur me menaxhimin e këtij virusi është stabile në këtë komunë.
“Numri i të hospitalizuarve në Spitalin e Përgjithshëm ‘Isa Grezda’ është zvogëluar dhe numri i rasteve pozitive me Covid-19 po ashtu. Në anën tjetër vlen të theksojmë se IKSHP ka doza të mjaftueshme të testeve serologjike dhe se janë në dispozicion shtatë ditë të javës për të gjithë ata që duan të testohen”, ka thënë Gjini.
Ai ka thënë se gjatë takimit, bashkë me anëtarët e shtabit diskutuan rreth përzgjedhjes së lokacionit për fazën e ardhshme të vaksinimit anti-Covid.
“Informatë kjo të cilën do ta bëjmë publike shumë shpejtë për banorët e komunës tonë. Fatkeqësisht, ditët e fundit kemi pasur edhe humbje të jetëve të njerëzve si pasojë e Covid-19. Prandaj, që të mos përjetojmë më humbje të tilla, i lus të gjithë qytetarët e komunës tonë që të jenë të durueshëm dhe të vazhdojnë të respektojëë të gjitha masat anti-Covid”, ka deklaruar Gjini.