
Gjini: Ramushi s’komunikon me Fatmirin, është i hidhëruar me të
Nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini, ka thënë se kreu i kësaj partie, Ramush Haradinaj, nuk komunikon me ish-partnerin e koalicionit, Fatmir Limajn.
Gjini tha se Haradinaj është i hidhëruar me Limajn pas gatishmërisë së këtij të fundit që të bashkëpunojë me kreun e VV-së, Albin Kurtin.
“Ramushi nuk komunikon me Fatmirin. Është i hidhëruar me të, edhe unë jam i hidhëruar. Kur e kemi bërë një rrugë bashkë, të paktën do të ishte korrekte që pas rezultateve, ato fjalë që i ka thënë në televizion, me i fol të paktën me Ramushin”.
“Do të ishte 100 herë më korrekte sikur këtë bisedë ta bënte me partnerin e koalicionit përpara se me na e dhënë lajmin në televizion. Ajo ishte befasi, e kemi dëgjuar për herë të parë në televizion”, tha Gjini në Rubikon në Klan Kosova.
Tutje, ai tha se po të shkonin të vetëm në zgjedhje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do t’i merrte 9 apo 10 deputetë.
“Po të shkonim vetëm në zgjedhje, Aleanca do t’i kishte 9 apo 10 deputetë së paku. Njerëzit na thonë se s’kanë dalë të votojnë, njerëzit që kanë votuar për dekada me Aleancën”, tha ai.