Gjini shpalos punën gjashtëmujore të komunës së Gjakovës
Kryetari i komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, bashkë me kryesuesin e Kuvendit Komunal, Anton Shala dhe drejtorët komunalë, kanë mbajtur të hënën takimin e parë me qytetarë për vitin 2021, në të cilin kanë njoftuar për të arriturat gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti si dhe kanë shpalosur planet për muajt e mbetur të këtij viti.
Me këtë rast, kryetari Gjini ka thënë se, përkundër problemeve të përgjithshme të shkaktuara si pasojë e pandemisë Covid 19, gjashtëmujori i parë i vitit 2021 ka qenë i suksesshëm për komunën e Gjakovës. “Për faktin se gjatë kësaj periudhe është arritur që të përfundohen shumica e punëve publike të planifikuara, por ajo që është edhe më e mirë është se gjatë kësaj periudhe ka pasur rritje të të hyrave komunale, gjë e cila do të përkthehet me rritje të buxhetit dhe rritje të investimeve në periudhat e ardhshme”, ka thënë ai.
Më tutje, Gjini ka rikujtuar se komuna që drejton ka një plan të investimeve, të ndërtuar mbi prioritetet dhe të bazuar në gjendjen në terren dhe nevojat më emergjente të qytetarëve. Në këtë drejtim, ai ka përmendur angazhimet konkrete në kryerjen e infrastrukturës rrugore, me qëllimin e vetëm që brenda vitit 2022 të mos mbetet asnjë rrugë e pa asfaltuar në Komunën e Gjakovës. Ai ka përmendur edhe projektet e ujësjellësit, tashmë pothuajse të përfunduara në tërë komunën, pastaj ndërtimin e sistemit të ngrohjes qendrore pothuajse në të gjitha shkollat e komunës, ndërtimin e disa çerdheve për fëmijë e të tjera.