Gjinovci i jep ministres Nagavci një dhuratë të veçantë
Përfaqësuesit e organizatës ORCA-s, Rron Gjinovci dhe Gramos Buçinca janë pritur në takim ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Arbërie Nagavci dhe zëvendësi i saj, Dukagjin Pupovci.
Përfaqësuesit e ORCA-s kanë përgëzuar Nagavcin dhe Pupovcin për detyrat e pranuara dhe i kanë ofruar mbështetje ministrisë në avancimin e transparencës, llogaridhënies, integritetit në arsim e në arsimin e lartë në veçanti.
Meqë takimi ka ndodhur në muajin e Ramazanit, përfaqësuesit e ORCA-s ia kanë dhënë ministres një gravurë me një pjesë nga Kurani, konkretisht të sures “An-Nisa” (nga arabishtja: Gratë) ku theksohet detyrimi i besimtarëve për të dëshmuar të vërtetën edhe kur ajo mund të jetë kundër vet atyre.
Me këtë rast, ORCA i ka kërkuar ministres Nagavci që të ndjekë shembullin e koleges së saj në Ministrinë e Drejtësisë e të fillojë vettingun në arsimin e lartë, ku si parim do të ndiqej mësimi nga surja “An-Nisa”, pra që e vërteta për integritetin e stafit akademik të dalë në publik pavarësisht partive nga vijnë pjesëtarët e stafit akademik.
“Përfaqësuesit e ORCA-s përmes dhurimit të një pende të argjendtë të punuar me dorë, si simbol i dijes, i mësimit e i të shkruarit, i uruan Ministres Nagavci fat dhe i kërkuan angazhim të shtuar në hartimin e ligjit të ri për Arsimin e Lartë dhe ligjin për Agjencinë e Akreditimit, të cilat ligje paraardhësit e Ministres Nagavci për disa vite me radhë nuk arritën t’i bënin. Po ashtu u theksua nevoja për hartimin dhe avancimin e udhëzimeve administrative e rregulloreve, në mungesë të të cilave ndodhin keqpërdorime masive të cilat dëmtojnë rëndë cilësinë e arsimit, e në veçanti rregulloret për parandalimin e ngacmimeve seksuale në mungesë të të cilave institucionet publike të arsimit janë shndërruar në strehë të ngacmuesve e arenë ngacmimesh për vajzat dhe gratë e shoqërisë sonë. ORCA mbetet e përkushtuar në monitorimin e institucioneve të Arsimit të Lartë dhe do të vazhdojë të ngrisë në publik shqetësimet për mungesën e integritetit akademik, transnaprencës e llogaridhënies nga institucionet publike”, ka njoftuar ORCA.