Gjinovci: Produktet ushqimore janë të sigurta për konsum
Më tepër se 45 milionë kilogramë të llojeve të ndryshme të mishit futen në Kosovë çdo vit. Pavarësisht shqetësimeve të ngritura edhe nga ana e qytetarëve, kryeshefi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës, Valdet Gjinovci në një intervistë për KosovaPress, garanton dhe siguron se AUV është i përkushtuar për ofrimin e produkteve të sigurta ushqimore, qoftë atyre me origjinë shtazore dhe atyre me origjinë bimore, të cilat janë të gatshme për konsum dhe përdorim.
Megjithatë, pavarësisht kontrolleve që i bëhen mishit vendor, si dhe të importuar, vetëm gjatë vitit që shkoi janë asgjësuar më shumë se 120 tonë mish i prishur dhe produkte me origjinë shtazore.
Gjatë vitit që lamë pas janë asgjësuar edhe rreth 750 mijë kilogramë produkte të ndryshme ushqimore si pasojë e rrezikut të shëndetit publik.
Gjinovci në një intervistë për KosovaPress, thotë se produktet e kontrolluara janë të sigurta për konsum. Sipas tij, edhe në vitin 2020, do të vazhdojnë të jenë të përkushtuar që çdo konsumator dhe çdo familje kosovare në sofrat e tyre të kenë produkte cilësore.
Kryeshefi i AUV deklaron se gjatë vitit që lamë pas, stafi i agjencisë ka qenë i përkushtuar për realizimin e objektivave të punës sa i përket kontrollit të produkteve ushqimore, në të njëjtën kohë edhe të ruajtjes së shëndetit të kafshëve në kuadër të aktiviteteve që janë realizuar në terren.
Gjinovci ka shtuar se AUV është fokusuar në realizmin e kontrollit të produkteve ushqimore, qoftë të atyre të importit dhe atyre që prodhohen në Kosovë.
AUV kanë arritur që të parandalojë edhe kontrabandën e të gjitha atyre produkte ushqimore të cilat kanë tentuar subjekte të ndryshme t’i futin në Kosovë, përfshirë këtu edhe kafshët e gjalla.
Në që shkoi në kontrollin kufitar janë realizuar rreth 46 mijë kontrolle zyrtare të ngarkesave prej tyre, ku këtë vit të evidentuara në sistem janë 95 ngarkesa të refuzuara.