Gjithçka gati për Maratonën ‘Prishtina 2024’
Tashmë gjithçka është gati për maratonën dhe gjysmëmaratonën ‘Prishtina 2024’, e cila këtë herë do të mbahet më 22 shtator në Prishtinë. Federata Atletike e Kosovës do të organizojë këtë ngjarje të madhe sportive me moton “Vrapo pa kufi”.
Drejtuesit e Federatës, Këshillit Organizativ dhe komunës së Prishtinës kanë dhënë hollësi, duke thënë se regjistrimi deri më tani ka kaluar numrin 500, duke bërë njërën prej edicioneve me pjesëmarrjen më të madhe ndonjëherë. Arsye për këtë, sipas kryetarit të FAK-ut, është edhe rritja e vlerës së shpërblimeve. Risi është edhe pjesëmarrja e kampiones së Evropës në 3000 metra me pengesa, Luiza Gega, e cila do të vrapojë në disiplinën 42 kilometra.
Regjistrimi do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, derisa iu bë thirrje edhe qytetarëve të Kosovës të regjistrohen dhe t’i bashkohen maratonës, qoftë në disiplinën dykilometërshe, qoftë në ato 5 km, apo edhe në 10, 21 dhe 42 kilometra. Sipas Kushtrim Mushicës, drejtor i sportit në komunën e Prishtinës, ngjarja zhvillohet edhe në kuadër të epitetit që ka marrë kryeqyteti këtë vit “Prishtina, qytet evropian i sportit”.