‘Gjithçka ishte aksidentale, dëmi nga zjarri shkon rreth 200 mijë euro’ – flet pronari i ‘Karting Arena’

13 gusht 2024 | 16:35

Temperaturat e larta që po mbizotërojnë tash e sa kohë në vendin tonë kanë bërë që të shfaqen vatra të zjarreve në shumë pjesë të vendit. E nga këto zjarre nuk po shpëtojnë as lokale e biznese të ndryshme ku në shumë raste po rrezikohet edhe jeta e qytetarëve, raporton Sinjali.

E rasti i fundit i cili ka ndodhur mbrëmë pas mesnate është ai ku është djegur një objekt biznesi i njohur si ‘Karting Arena’, në Sllatinë të Fushë-Kosovës jo shumë larg aeroportit të Prishtinës.

Ky objekt edhe nga pamjet që kanë qarkulluar është djegur i tëri, e ku si pasojë kanë pësuar lëndime edhe qytetarët.

Pronari i këtij objekti, Nexhmedin Geci ka dhënë më shumë detaje për ngjarjen për Sinjalin.

Ai ka treguar se zjarri ka qenë aksidental dhe duke u munduar që të shpëtohet ndonjë gjë nga biznesi, ka pësuar lëndime nga flakët ai personalisht në njërën dorë dhe një person tjetër.

“Gjithçka ka qenë aksidentale sa i përket zjarrit, personalisht edhe vetë jam i lënduar në njërën dorë, si edhe një person tjetër. Dëmi i shkaktuar nga zjarri në biznesin tonë llogaritet rreth 200 mijë euro”, tha shkurt Geci për Sinjalin.

E lidhur me rastin është deklaruar edhe Policia e Kosovës.

Zëdhënësja e policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti bëri të ditur se si shkak i zjarrit është lënduar një person.

Përpos kësaj nga zjarri u dëmtuan edhe 20 vetura, të cilat ishin të parkuara në afërsi të biznesit.

Personi i lënduar është dërguar për tretman mjekësor ndërsa hetuesit policor po kryejnë hetimet rreth rastit.

“Sot rreth orës 01:30, kemi pranuar informatën për një incident zjarri në afërsi të Aeroportit të Prishtinës. Nga zjarri janë përfshirë 20 vetura të parkuara dhe një objekt biznesi. Në këtë rast është lënduar një person dhe janë shkaktuar dëme materiale. Personi i lënduar është dërguar për tretman mjekësor, ndërkohë që pas lokalizimit të zjarrit, hetuesit policor në koordinim me institucionet përkatëse po kryejnë hetimet rreth rastit i cili është cilësuar si shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, ka njoftuar Ahmeti.

Por se zjarret nuk po kursejnë shumë lokale e biznese në këto temperatura të larta, ky rast nuk është i vetëm që ka ndodhur, ngase ditë me parë është djegur edhe një punëtori me material shkollor në Miradi të Fushë-Kosovës. Përndryshe institucionet përgjegjëse që merren me menaxhimin e zjarreve kanë bërë thirrje vazhdimisht që të kihet kujdes e të mos ndizen zjarret qëllimshëm ngase pasojat nga përhapja e tyre mund të jenë të paparashikuara kur dihet se temperaturat gjatë kësaj jave janë mjaft të larta.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga yll i ekipit, titullar i padiskutuar, Ernest Muçi e…