Gjithçka që duhet të dini për Grupin H

04 qershor 2018 | 17:20

POLONIA

Lojtari kyç

Robert Lewandowski

Pa sulmuesin e Bayern Munchen, Polonia është një ekip krejtësisht tjetër dhe nuk ka asnjë mundësi të kalojë fazën me grupe. Nuk është vetëm vendimtar, më shumë se kaq. Mjafton t’ju tregojmë se në 10 eliminatore të luajtura prej tij në rrugën drejt Rusisë, ka shënuar plot 16 gola, më shumë se kushdo tjetër në Evropë.

Prezantimi

Me një nga qendërsulmuesit më të mirë në qarkullim, kapitenin Robert Lewandowski, Polonia mund të thotë fjalën e saj ndaj çdo kundërshtari, por nëse ai “ngec”, atëherë ka probleme të mëdha. Në Euro 2012, në veprimtarinë e luajtur në shtëpi, ai vuajti presionin e pritshmërisë dhe shënoi vetëm një gol, aq sa shënoi edhe në Euro 2016.

Leksione nga eliminatoret

Sulmojnë shumë shpejt. Sapo e kapin topin e hedhin përpara. Kundërsulmi e ka ndihmuar të shënojë 28 gola në 10 eliminatore.

Pikat e forta

Nëse mbrojtjet e forta që do të ketë në botëror do të bllokojnë Lewandowski, atëherë polakët mund të shpresojnë edhe te organizatori Piotr Zielinski, që luan me Napoli. “Legjenda” e futbollit polak, Zbigniew Boniek, mendon se 23-vjeçari është më i mirë edhe se Kevin De Bruyne.

Pikat e dobëta

Futbollistët e formacionit nuk janë paraqitur mirë me klubet e tyre në këtë sezon. Gjithashtu, Polonia ka probleme në mbrojtje pasi ka pësuar 14 gola me kundërshtarë si Danimarka, Mali i Zi, Rumania, Armenia dhe Kazakistani.

Ka më shumë mundësi…
Të detyrojnë Vladimir Putin të mërzitet në momentin që do të paraqiten më mirë se vendasit.
Ka më pak mundësi…
Të përsërisin Euro 2016 ku mbyllën tre ndeshje pa pësuar gol.
Çfarë shpresojnë…
Lewandowski të shkatërrojë çdo mbrojtje kundërshtare.
Çfarë pritet të ndodhë…
Edhe pse mendohet se mund të shkojnë në raundin me eliminim direkt, nëse nuk fiton në ndeshjen e parë ndaj Senegalit do të ketë probleme të mëdha.
Trajneri
Adam Nawalka

Dirigjenti i ekipit është i respektuar në vendin e tij pasi i dha mundësinë Polonisë të shkojë deri në çerekfinalet e Euro 2016, rezultati më i mirë në historinë e kësaj përfaqësuese, që nëse përsëritet në Rusi do të ishte diçka fantastike.
Formacioni i mundshëm: (4-2-3-1)  Szczesny, Piszczek, Glik, Pazdan, Bereszynski, Krychowiak, Linetty, Blaszczykowski, Zielinski, Grosicki, Lewandowski

SENEGAL

Lojtari kyç
Sadio Mane

Sulmuesi i Liverpool është ndryshe nga futbollistët e mëdhenj që ka prodhuar Senegali, sepse ai nuk është një “prima donna”. Lidershipi i tij vihet në diskutim kur heq fanellën e kuqe, megjithatë mbetet arma më e fortë e kombëtares së tij dhe padyshim që mbrojtësit kundërshtarë do ta kenë frikë gjatë përballjeve në Kupën e Botës.

Prezantimi
“Luanët e Teranga” do të marrin pjesë në Botëror për herë të dytë, pas debutimit në vitin 2002 ku shtagën Francën që ishte kampione në fuqi dhe shkuan deri në çerekfinale. Senegali është i vendosur të vërtetojë epitetin e skuadrës “surprizë” që ka fituar që nga ajo veprimtari 16 vjet më parë.

Leksione nga eliminatoret
Një ekip që di si arrihen rezultatet. Ata dinë të fitojnë edhe në mënyrë të shëmtuar, por çka është kryesorja nuk humbën asnjë nga ndeshjet në raundin e fundit eliminator.

Pikat e forta
Një sulm i fortë në saj të treshes Keita Balde-Sadio Mané-Moussa Sow, mund të bazohet edhe te një qendërmbrojtës si Kalidou Koulibaly, ndër më të mirët në Itali me fanellën e Napoli.

Pikat e dobëta
Paqëndrueshmëria. Mund të dështojnë kur nuk e pret, sepse psikologjikisht nuk është një ekip shumë i fortë. Në vitet e fundit, Senegali ka pasur probleme edhe në mesfushë.

Ka më shumë mundësi…
Të festojnë golat duke kërcyer në bazë të një plani paraprak ku Mane do të jetë me shumë gjasa koreografi i spektaklit.
Ka më pak mundësi…
Të jenë të shthurur në fushë si ka ndodhur me ekipet afrikane në dy kampionatet e fundit botëror. Trajneri Aliou Cisse bazohet te disiplina e hekurt dhe futbollistët e tij veprojnë si një njësi e bashkuar.
Çfarë shpresojnë…
Mbështetësit e Senegalit besojnë verbërisht te kualifikimi si vendi i dytë i Grupit H, mundësisht pas dy barazimesh dhe një fitoreje kundër Japonisë.
Çfarë pritet të ndodhë…
Ndoshta mbështetësit kanë të drejtë. Senegali mund të arrijë të kualifikuar, por më as do të vihen përballë Anglisë ose Belgjikës në një mision jashtëzakonisht të vështirë.

Trajneri
Aliou Cisse

Kapiteni i ekipit historik të vitit 2002 ka luajtur në Angli me Birmingham dhe Portsmouth. Cisse është shumë inteligjent në aspektin taktik, por ndoshta duhet të jetë më shumë vendimtar me zëvendësimet e tij. Kushtëzohet nga mungesa e alternativave në stol.
Formacioni i mundshëm:  (4-2-3-1)  K. N’Diaye,  Sabaly,  K Mbodji, Koulibaly,  Cisse, Kouyate, Gueye, Keita, Mané, Niang, Sow

KOLUMBIA

Lojtari kyç
James Rodriguez

Golashënuesi më i mirë i Kupës së Botës 2014 ka në duart e tij çelësat e lojës së Kolumbisë, sidomos në fazën sulmuese. Futbollisti që Real Madrid huazoi te Bayern Munich, bëhet fjalë për dy nga klubet më të mëdha të Europës, shënoi gjashtë gola dhe “ndërtoi” katër gola të tjerë nga 21 që shënoi gjithsej Kolumbia në eliminatoret e amerikës-latine.

Prezantimi
Edhe pse kanë një ekip me potencial, Kolumbia ka njohur rënie të lehtë pas Kupës së Botës 2014. Trajneri Jose Pekerman arriti ta kualifikojë ekipin, por ka ende shumë dilema. Te Kolumbia vazhdon të jetë e vendosur tabela “këtu punohet”!

Leksione nga eliminatoret
Bën detyrën me ekipet e vogla, por ka vështirësi me “peshat e rënda”. Bilanci në gjashtë eliminatoret kundër Brazilit ka qenë 0 fitore, 2 barazime, 4 humbje.

Pikat e forta
Golashënuesi më i mirë i “Los Cafeteros”, Radamel Falcao, duket se ka ende diçka për të thënë në karrierën e tij, edhe pse do të jetë debutues në Kupën e Botës. Rodriguez është më i pjekur si lojtar, ndërsa në mbrojte janë dy futbollistë të talentuar të Barcelona e Tottenham, Yerry Mina dhe Davinson Sanchez.
Pikat e dobëta
Nëse Rodriguez nuk jep më të mirën e vetes dhe nëse Falcao do të kthehet ai i dy sezoneve ku dështoi keqazi në Premier League, atëherë Kolumbia do të jetë në telashe serioze. Varet shumë nga këta dy futbollistë.
Ka më shumë mundësi…
Me ndihmën e James Rodriguez të kualifikohet për në raundin me eliminim direkt.

 

Ka më pak mundësi…
Të përmbysin profecinë e Pele që i sheh si skuadra më e papritur që mund të fitojë Botërorin.
Çfarë shpresojnë…
Të përsërisin çerekfinalen historike të katër viteve më parë. Kjo do të përbënte një sukses.
Çfarë pritet të ndodhë…
Kolumbia do të kalojë fazën me grupe në saj të ndonjë “magjie” të Rodriguez apo Falcao, por do të vuajë shumë dhe më pas ka shumë pak shanse në përballjen me Belgjikën ose Anglinë.
Trajneri
Jose Pekerman 
Trajneri që ka qëndruar më gjatë në historinë e kombëtares së Kolumbisë. Vazhdon të gëzojë një respekt të plot dhe konsideratë të madhe, pavarësisht se ekipi i tij nuk po luan një futboll të bukur dhe sulmues si katër vjet më parë. Kontrata e 68-vjeçarit përfundon më 31 korrik dhe rinovimi duket i pamundur.
Formacioni i mundshëm:  (4-2-3-1) Ospina, Arias, D.Sanchez, Mina, Fabra, C.Sanchez, Aguillar, Cuadrado, James, Cardona, Falcao

JAPONIA

Lojtari kyç
Makoto Hasebe
Hasebe është “shkëmbi” mbi të cilën do të ndërtohet një kombëtare e tërë. Ndoshta ndonjë prej shokëve të skuadër është më i famshëm dhe ka fituar më shumë parà në karrierë, por mesfushori i Eintracht Frankfurt është gjithmonë aty, duke vrapuar dhe duke shkatërruar aksionet e kundërshtarëve. 34-vjeçari rrallë herë e humbet kontrollin. Eshtë një kapiten i vërtetë.

Prezantimi
Edhe pse e nisën “Brazil 2014” duke pretenduar çerekfinalet, por morën vetëm 1 pikë, japonezët shkojnë me shpresë të madhe në Rusi. Kjo pasi skuadra është më pragmatiste se katër vjet më parë. Vahid Halilhodzic u largua në prill, i katërti trajner në katër vitet e fundit. Situata është disi kaotike.

Leksione nga eliminatoret
U kualifikua pa ndonjë sforco të madhe duke treguar se Japonia është një nga kombëtaret më të forta në zonën e Azisë, ku gjithsesi cilësia e futbolli ka njohur rënie. Kjo e detyroi Federatën Japoneze të mbajë Halilhodzic, pavarësisht nga kontraditat, derisa vendosi për shkarkimin e tij dy muaj para fillimit të Kupës së Botës. Ndoshta ka qenë një vendim i gabuar.
Pikat e forta
Janë një skuadër shumë e disiplinuar, që nuk dorëzohet kurrë dhe luan me pasime shumë të shpejta.
Pikat e dobëta
Krahas faktit që Japonia nuk ka një qendërsulmues që mund të shënojë gola, vuan edhe në momentet që kundërshtari del nga korniza e një ndeshje normale, të përgatitur më parë.
Ka më shumë mundësi…
Të luajë një futboll të bukur dhe të marrë duartrokitjet e tifozëve rus, por ka shumë pak mundësi të kalojnë grupin.
Ka më pak mundësi…
Që secili të luajë për veten e tij.
Çfarë shpresojnë…
Që më në fund të fitojnë ndaj një ekipi nga Amerika e Jugut në një kampionat botëror, kjo do t’i afronte shumë me kualifikimin. Ëndrra në kufijtë e realitetit mbetet një vend në çerekfinale.
Çfarë pritet të ndodhë…
Grupi H është i hapur dhe kjo do të thotë se Japonia mund të dalë si në vend të parë, ashtu edhe në vend të katërt. Po ka gjithmonë një dilemë të madhe në lidhur me faktin nëse do të jetë një botëror historik për ta, apo një dështim si katër vjet më parë.


Trajneri
Akira Nishino
Nishini, 63 vjeç, la postin e drejtorit teknik për të marrë drejtimin e ekipit si trajner, pas largimit të Halilhodzic, i katërti në katër vjet. Në vitin 1996 ishte trajneri i skuadrës olimpike që në Atlanta fitoi ndaj Brazilit të Roberto Carlos, Rivaldo dhe Dida.
Formacioni i mundshëm: (4-2-3-1)  Kawashima,  Sakai,  Yoshida,  Shoji,  Nagatomo , Yamaguchi, Hasebe, Honda, Kagawa, Haraguchi,  Okazaki

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kuvendi i Kosovës ka shprehur vullnetin politik përmes një rezolute…