Gjithçka që hyri brenda Shtabit të UÇK-së
Ish-pjesëtari i logjistikës në shtabin e përgjithshëm të UÇK-së në Likoc, Nebih Balaj, ekskluzivisht për Tëvë1 ka zbuluar një pjesë të dokumenteve që dikur ndodheshin brenda këtij shtabi. Në këto dokumente tregohet gjithçka që hyri brenda këtij shtabi në kohën e luftës. Balaj po ashtu ka treguar se u intervistua nga Gjykata Speciale në lidhje me dokumentin që flet për medikamentet që hyrën në shtab.
520 bereta që dikur i mbanin ushtarët e UÇK-së, Nebih Balaj, i dorëzoi në Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së në Likoc me 19 qershor të vitit 1998.
Por, kjo nuk është dëshmia e vetme që ish-pjesëtari i logjistikës së shtabit, e posedon.
Nebih Balaj nga Podujeva, ka me qindra dokumente që tregojnë se çka hyri brenda shtabit në kohën e luftës.
“Unë kam edhe tri here kaq dokumente, do i kam lënë të Selatin Novosella e disa të Mustafa Gara. Për herë të parë përmes mjeteve të informimit jeni ju që i shihni këto që kanë shpëtuar, të vetmet janë këto dokumente të luftës që kanë shpëtuar, ndoshta dikujt si vjen mirë, por ky është realiteti”, thotë Balaj.
Por, çfarë përmbajnë dokumentet që dikur ndodheshin brenda shtabit të përgjithshëm të UÇK-së?
“Janë të vetmet që kanë shpëtuar prej luftës (dokumentet) ka mijëra materiale Këshillit Republikan të Emergjencës, Bashkësisë të fesë Islame, prej Nënë Terezës, Lidhjes së Gruas Shqiptare, Bashkësia e Sindikatave. Krejt gjërat ushqimore, veshmbathje. Qe ku e kemi një dokument, gjera ushqimore, çorape, këmisha, brekë, maicë, patika, pantallona të zi, lugë, shporta për kuzhinë ushtarake”, tregon ai.
Balaj thotë se për dokumentet që i posedon nuk u interesua asnjëherë shteti i Kosovës.
Por, interesim për to, patën nga Gjykata Speciale.
Këta të fundit fokusin e patën të këto dokumente që tregojnë listën e barnave që u fut në shtab gjatë kohës së luftës.
“Gjykatës Speciale kanë ardhur këtu në këtë lokalin, me kanë marrë në pyetje 5 orë. Po unë i kam pasur mbulesën (dokumentin e barnave), janë barna që lejohen gjithkund”, thotë ai.
Një pjesë e madhe e këtyre donacioneve u dhurua edhe për refugjatët.
“Kryesisht i kemi furnizuar me gjëra ushqimore spitalet e kuzhinat ushtarake, veshmbathjet prej kapelës deri në çorape. Kemi bërë bartjen të doktorëve, me neve kanë udhëtuar, shembull doktori Shpëtim Robaj, derisa ka ra me neve ka udhëtuar”, thotë Balaj.
Por, sa ishte e vështirë që këto donacione të arrinin në vendin e duhur.
“Ka qenë e rrezikshme ku të kishin zënë me këto kapela, ishe përball me forcat serbe, por edhe ne kemi pasur armatim, nuk kemi shkuar pa armatim. Kemi udhëtuar nëpër Prishtinë të armatosur vazhdimisht”, shprehet ish-pjesëtar i logjistikës së shtabit
E me 11 shtator të vitit 1998, në shtab të përgjithshëm të UÇK-së, ishin dërguar edhe 1200 gazeta ditore.
Një tjetër dokument tregon se shqiptarët atë kohë, dhuruan gjithçka nga vetja.
Por, asnjë prej këtyre gjerave sot nuk gjendet në objektin që dikur shërbeu si Shtab i Përgjithshëm i UÇK-së në Likoc.
Të vetmet që mund të shihen brenda këtij shtabi, janë fotografitë e dëshmoreve ne mure nga e gjithë Kosova.