Gjithçka rreth finales Tottenham-Liverpool
Liverpooli e siguroi vendin në finale e madhe të Ligës së Kampionëve, pas rikthimit të jashtëzakonshëm kundër Barcelonës, duke fituar 4:0 e duke e përmbysur deficitin e tre golave nga dueli i parë.
Me përmbysje, biletën për në finale e arriti edhe Tottenhami që u rikthye nga humbja në shtëpi prej ndeshjes së parë dhe nga dy gola disavantazh në pjesën e dytë, në shtëpinë e Ajaxit, për të fituar në fund, 3:2.
Finalja e madhe e trofeut më të çmuar për klube në Evropë do të zhvillohet të shtunën më 1 qershor, me fillim nga ora 21:00. Për herën e 10-të rresht, finalja do të luhet në vikend, raporton “Sporti në KTV”.
Stadiumi ku do të zhvillohet ballafaqimi i dy më të mirëve të Evropës është “Metropolitano”, impianti i Atletico Madridit, në kryeqytetin spanjoll, në Madrid.
Shtëpia e Atleticos zyrtarisht u hap në shtator të vitit 2017-të, duke e zëvendësuar shtëpinë e vjetër të ekipit, “Vicente Calderon”.
Finalja e fundit e zhvilluar në Madrid ishte ajo e vitit 2010, në “Santiago Bernabeu” të Realit.
Gjyqtar kryesor i finales do të jetë slloveni Damir Skomina, bashkë me asistentët Praprotnik dhe Vukan.
Vitin e kaluar performoi sensacioni i muzikës pop, Dua Lipa, e sivjet do të jetë Imagine Dragons në krye të skenës.
Tottenhami mund të hyjë në listën e ekipeve që i kanë fituar tre tituj evropian
Vetëm pesë klube kanë arritur t’i ngrisin lartë tri trofetë kryesor evropian.
Tottenhami mund të hyjë në atë listë po ashtu.
Nëse dëshiron ta arrijë një sukses të tillë, “Gjelat” duhet t’i mposhtin “Të Kuqtë” e Liverpoolit në finalen e Madridit.
Juventusi, Ajaxi, Bayern Munichu, Chelsea e Manchester Unitedi e kanë fituar Kupën e Kampionëve Evropian për Klube, Kupën e UEFA-së apo Ligën e Evropës, dhe Kupën e Kupave.
Të udhëhequrit e Mauricio Pochettinos e kanë ngritur lartë trofeun Kupës së UEFA-së, tani Ligën e Evropës, në vitet 1972 dhe 1984, dhe Kupën e Kupave në vitin 1963, por asnjëherë Kupën Evropiane apo Ligën e Kampionëve.
Pochettino dhe Kloppi duhet të vendosin për 11-shen më të fortë
Ekipet titullare në finale të Ligës së Kampionëve për Mauricio Pochettinon dhe Jurgen Kloppin mund të jenë edhe vendimtare për kampionin e ri të garës më të fortë evropiane për klube.
Tekniku argjentinas, Pochettino, nuk e ka në ekip gjendjen më të mirë fizike të futbollistëve, megjithatë, në pikëpyetje është vetëm sulmuesi Harry Kane, që nuk ka luajtur prej 9 prillit dhe mbetet në dyshim. Kapiteni i Anglisë ka udhëtuar në Madrid me klubin dhe pritet të luajë.
“Harry Kane në javën e fundit, të premten dhe të shtunën, ka qenë i pranishëm me grupin. Është një situatë pozitive për të, por do të presim e të shohim se si do të jetë gjendja e tij përfundimisht”, ka thënë Pochettino.
Te skuadra e gjermanit Klopp, jashtë fushave të gjelbra do të jetë Keita i dëmtuar, ndërsa në dyshim mbetet Firmino dhe mesfushori James Milner.
Faktet për duelin final ndërmjet Tottenhamit e Liverpoolit
Derisa Tottenhami është në finalen e parë në histori, nënkampioni i vitit të kaluar, Liverpooli, e kërkon trofeun e gjashtë evropian.
Madridi është vendi ku do të zhvillohet finalja e dytë angleze e Ligës së Kampionëve, ku “Gjelat” për herë të parë shfaqen në finale të një ngjarjeje të tillë, e përballë do ta ketë Liverpoolin që kërkon ta mbyll plagën e shkaktuar nga Real Madridi triumfues i “Championsit” në vitin e kaluar.
Për të udhëhequrit e Kloppit do të ishte titulli i gjashtë evropian, dhe i dyti pas triumfit kundër Milanit në vitin 2005, përcjell “Sporti në KTV”. Për ekipin që tani udhëhiqet nga Pochettino, gjysmëfinalja vinte në edicionin 1961/62, kurse së fundmi, suksesin më të madh në Ligën e Kampionëve, Tottenhami e arrinte në sezonin 2010/11, kur u eliminua në tetë ekipet më të mira.
Gjashtë finale kanë qenë deri tani nga i njëjti shtet, që të gjitha nga viti 2000. Real Madridi mposhti Valencian në vitin 2000, dhe i fitoi dy të tjera kundër Atletico Madridit në vitin 2014 dhe 2016, kurse Milani fitoi ndaj Jventusit në penallti në vitin 2003.
Edhe Bayerni arriti fitore ndaj Dortmundit në finalen gjermane të vitit 2013.
Finalja tjetër angleze u luajt në Luzhniki të Rusisë në vitin 2008, ku Unitedi fitoi ndaj Chelseat 6:5 në penallti, pasi loja e rregullt përfundoi 1:1.
Liverpooli, më i suksesshëm se Tottenhami në takimet e mëparshme
Këto dy ekipe janë takuar vetëm një herë në gara të UEFA-së, në gjysmëfinale të Kupës së UEFA-së në sezonin 1972/73, që u fitua nga Liverpooli falë golave si mysafir.
Në total, Tottenhami dhe Liverpooli janë takuar 170 herë në të gjitha garat. “Të Kuqtë” kanë fituar 79 herë, “Gjelat” 48 herë, ndërsa 43 herë ekipet janë ndarë baras.
Në 14-të përballjet e fundit, Liverpooli ka humbur vetëm një herë në vitin 2013-të, dhe i ka fituar nëntë duele tjera.
Sezonin që po e lëm pas, Liverpooli i ka fituar që të dyja në Premier League, me rezultat identik, 2:1. E fundit ishte më 31 mars, kur Toby Alderëeireld shënoi në portën e vet në minutën e fundit. Ndërkohë, golin e fitores në “Ëembley” më 15 shtator, e shënoi Firmino.
Në finale për herë të fundit këto dy skuadra u takuan në Kupën e Ligës në “Ëembley” në vitin 1982, kur Liverpooli fitoi ndaj Tottenhamit në kohën shtesë, 3:1.
Tottenhami, ekipi i 40-të i ndryshëm në finale të Kupës Evropiane
Tottenhami është klubi i 40-të që arrin në finale të Kupës Evropiane, më i riu që prej Chelseat në vitin 2008.
Ekipi i “Gjelave” mund të bëhet I 23-ti që e fiton Kupën Evropiane, dhe i pari i ri që e fiton trofeun pas triumfit të Chelseat në vitin 2012-të.
Kjo do të jetë finalja e pestë e Tottenhamit në garat e UEFA-së, i dyti kundër një kundërshtari anglez.
Tottenhami e mposhti Wolverhamptonin 3:2 me rezultat të përgjithshëm, në inaugurimin e Kupës së UEFA-së në finalen e edicionit 1971/72.
Spursi e mposhti Atletico Madridin 5:1 në finalen e vitit 1963 në Kupën e Kupave, duke u bërë ekipi i parë anglez që fiton trofe evropian. Mposhti edhe Anderlechtin 4:3 në penallti në Kupën e UEFA-së në vitin 1984, transmeton “Sporti në KTV”. Ndërkohë, u mposht nga Feyenoordi në Kupën e UEFA-së në vitin 1974/74, 4:2 me rezultat të përgjithshëm.
Liverpooli i ka fituar pesë nga tetë finalet e Kupave Evropiane
Liverpooli i ka fituar pesë nga tetë finalet e Kupave Evropiane
Në finale ka triumfuar kundër Monchengladbachut, Bruggeit, Real Madridit, Romës e Milanit, derisa është mposhtur nga Juventusi dhe Real Madridi.
Kjo është hera e tretë që “Të Kuqtë” arrijnë finale të njëpasnjëshme në Kupa Evropiane. Vetëm Juventusi në vitet 1997 dhe 1998, dhe Valencia në vitet 2000 e 2001, i kanë humbur që të dyjat.
Për skuadrën e drejtuar nga gjermani Klopp, kjo është finalja e 21-të në gara të UEFA-së.
Me golin e shënuar kundër Realit në Kiev vitin e kaluar, Mane mund të bëhet të shtunën futbollisti i tetë që shënon në më shumë se në një finale të Ligës së Kampionëve, pas Baleit, Eto’os, Messit, Ramosit, Raulit, Manxhukiqit e Ronaldos.
Ky i fundit, portugezi Ronaldo, e ka gjetur rrugën e golit në tri finale.
10-të futbollistë mund ta fitojnë “Championsin” dhe Ligën e Kombeve
10-të futbollistë këtë verë mund të dalin fitues në Ligën e Kampionëve dhe në Ligën e Kombeve.
Vetëm 18-të të tillë e kanë fituar Kupën Evropiane dhe Kupën e Botës apo Kampionatin Evropian në të njëjtin vit. Listës së fundmi i është bashkuar Raphael Varane pas triumfit me Real Madridin dhe Francën në vitin 2018-të.
Këtë verë, ka kandidatë që mund t’i rrëmbejnë trofetë e “Championsit” dhe Ligës së Kombeve në nëntë ditët e para të muajit qershor.
Nga gjashtë futbollistët e Liverpoolit, në mesin e tyre është edhe Xherdan Shaqiri që suksesit të mundshëm me Liverpoolin, mund t’ia bashkangjisë edhe me Zvicrën në Ligën e Kombeve. Nga Liverpooli janë edhe Alexander-Arnold, Gomez, Henderson, Van Dijk dhe Wijnaldum.
Në listën e Tottenhamit janë Dele Alli, Dier, Kane dhe Rose.