Gjithmonë në shërbim të politikës, asnjëherë të integritetit intelektual

27 shkurt 2025 | 14:53

Behxhet Sh.  SHALA – BAJGORA

Qeveria Kurti apo Kurthi 3: E kemi një situatë  bukur të ndërlikuar, është një luftë e egër për pushtet kur Kosova po hynë në një labirint thuaja pa dalje. LV-ja deri më tani ka siguruar 47 deputetë dhe pas votave të diasporës, në rastin më të mirë mund t’i ketë 50 mandate për çka nuk jam fort i bindur. LV-ja e ka çështje të mbijetesës të sigurojë edhe një mandat ndërsa, jam fort i sigurt se kjo kohë është koha më e keqe për të qeverisur sepse thuaja asgjë më nuk është në dorën tonë.  Jemi dëshmitarë se si Trampi e zhduku Ukrainën, si mbi varret e mbi 80.000 civilëve të vrarë në Rripin e Gazës planifikon të ndërtojë hotele, qendra tregtare dhe bordele, në kundërshtim me çdo parim a moral elementar njerëzor. Prej se kam filluar të marr pak vesh në politikë gjithmonë kam qenë me republikanët në  ShBA, jam edhe tash por jo edhe me Trampin. Isha me Trampin deri në kohën kur arrogancën e bëri parim moral, dhunën e shndërroi në ligj kurse bashkëpunimin ekonomik e shndërroi në gjobvënie dhe haraç. Grenellin e ka emëruar si emisar për kriza në të gjitha vendet e botës kurse Kosovën i ka lënë ta përdorë në vend të vitrave. Ishte ndërhyrje e pashembullt dhe jodiplomatike para zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025. Edhe po t’i kishte Albin Kurti të gjitha ato që i thotë Grenelli, nuk është dashur të reagojë aq anshëm dhe aq brutalisht diç reagoi. Asgjë nuk e ka dobësuar Kurtin, ndërkaq që do të detyrohet, edhe të takohet, edhe të bashkëpunojë me Kurtin, qoftë si kryeministër, qoftë si lider i opozitës së ardhshme. Po flitet se Grenelli mund ta vizitojë Kosovën javën që vjen dhe, nëse vjen me qëndrim sikur që e kishte para zgjedhjeve, aspak nuk gëzohem për këtë vizitë, nuk pajtohem me qëllimin që të na dorëzojë vendimin, pa drejtë ankese!

Me Albin Kurtin nuk pajtohem thuaja me asgjë, për mua ka dështuar të jetë një menaxher i mirë sepse është shndërruar në autokrat kurse qeverisjen e mirë e ka shndërruar në një regjim autoritar, në diktaturë. Mirëpo kjo nuk është arsye që Albini të linçohet si antiamerikan apo antievropian kur janë njëqindmijë arsye dhe mundësi të kundërshtohet brenda për dështimet në planin ekonomik, social, politik, zhvillimor dhe kombëtar. Opozita nuk duhet të lakmojnë që ta bëjnë qeverinë, edhe nëse iu krijohen mundësitë aq më parë duke shkuar: “pas koçe… të Grenellit..”. Nëse opozita nuk hynë në qeveri me Kurtin, në planin afatshkurtër e humbë pushtetin, strategjikisht fiton shumë. Nëse PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja nuk pranojnë koalicion me Kurtin, në mënyrë konstruktive do të kontribuojnë në rrënimin politik të Kurtit (është zgjedhje e tij) sikur që Nisma, që po lakmon të bëhet pjesë e qeverisë do ta relativizojë duke e shndërruar në mendermethënë Guxo dhe Alternativa e zemlakes së Radoiçiqit. Fatmir Limën me asnjë parti nuk e pranon në koalicion, do të shkrihet në LV duke e ruajtur emrin. Është vendim dhe llogari e tij, ndoshta i del mirë! Albin Kurtit duhet t’i ndihmohet ta bëjë qeverinë  Kurti 3 e cila pastaj do të merrej me Trampin, Grenellin, Maskun etj. Pse duhet të merret opozita me ta, nuk ka asnjë përgjegjësi. Kush e do pushtetin absolut, edhe përgjegjësinë e ka absolute sikur edhe pasojat. Qeveria Kurti 3, bashkë me Limajn maksimumin e mandateve mund t’i ketë 51- deputetë, plus 10 deputetë të pakicave joserbe. Është qeveri buzë greminës, mund të shembet në çdo kohë. LV-ja po kundërshton koalicionin me Listën Serbe, në emër të patriotizmit që nuk e ka. Mirëpo jam i sigurt se me ardhë koha me e rrahë pyka – pykën , LV-ja do t’i pranojë votat e Listës Serbe sikur në kohën kur ishte votuar Sherife Osmani presidente apo kur me votat e Listës Serbe ishte refuzuar rroga minimale për veteranët e luftës ku kishte ndërmjetësuar Lakuriqja e Natës, Mimoza Kusari. Unë e shoh një tjetër skenar. Nëse çështja e Kosovës nuk ka qenë pjesë e pakos Tramp – Putin, atëherë do të imponohet një koalicion i gjerë që të sigurohet një vendimmarrje e gjerë dhe përgjegjësia do të ndahej te të gjithë partnerët e koalicionit. Partitë opozitare e as LV-ja nuk kanë guxim ta kundërshtojnë një propozim të tillë sidomos nëse vjen: “një ofertë që nuk mund të refuzohet..”. Këtë ofertë e pati edhe Zelenski, e kundërshtoi në fillim, nesër e nënshkruan në Shtëpinë e Bardhë pasi Zelenski e ka vetëm lapsin për nënshkrim kurse Tramp në njërën dorë e ka lapsin, kurse në tjetrën e ka koltin të kalibrit 36 mm që i siguron një: “ofertë që nuk mund të refuzohet ..”.

Kur të vjen koha e presidentit nuk nënkupton shkuarja në zgjedhje të parakohshme automatikisht. Dëgjova se Kurti nëse e ka qeverinë e pakicës, në kohën kur do të votohet për presidentin mund ta luajë lojën duke dalë, sipas tij me: “një propozim që nuk mund të refuzohet – Murat Jashari”. Edhe në zgjedhjet paraprake Kurti manipulonte me një anëtar të familjes Jashari për president, sigurisht në Murat Jasharin. Në fund doli se përfaqësuesi më i denjë për president nga familja Jashari ishte Vjosa Osmani. Po edhe nëse Kurti do ta vë në riqarkullim emrin e Murat Jasharit për president, opozita nuk e ka asnjë detyrim ta votojë atë për faktin se janë rreshtuar politikisht pas LV-së dhe kanë dalë kundër partive tjera në vend se ta ruajnë neutralitetin.

Intelektualë pa integritet profesionalë, moral, politik dhe kombëtar: Pse ne shqiptarët jemi ku jemi në të gjitha trojet ku jetojmë, faji është te mungesa e arsimit kombëtar, mungesa e intelektualëve që i shërbejnë kombit dhe shtetit. Në Shqipëri pas përfundimit të luftës së dytë botërore, Enver Hoxha i vrau, burgosi, i internoi apo i përzuri të gjithë intelektualët që kishin kurriz dhe përmbajtje kombëtare duke i zëvendësuar me proletarë analfabetë . Mbi 70 për qind të atyre që e nënshkruan Deklaratën e Pavarësisë në Vlorë ose i vrau, ose i burgosi. Me politikanë injorantë fatin e Shqipërisë ua la në dorë jugosllavëve dhe serbëve,  sovjetikëve (rusëve) dhe kinezëve duke zhveshur shqiptarët nga çdo vlerë njerëzore, kombëtare dhe politike pasojat e së cilës i vuajmë edhe sot. Në Kosovë ishte i njëjti yrnek, shqiptarët që flisnin shqip, në shërbim të Jugosllavisë dhe Serbisë ndiqnin, arrestonin dhe vrisnin patriotët e vërtetë shqiptarë që kundërshtonin mbetjen nën Serbi dhe donin të bashkohen me Shqipërinë. Denoncuesit dhe dëshmitarët kryesorë kundër patriotëve shqiptarë në proceset politike ishin pikërisht shqipfolësit që ishin integruar në strukturat represive jugosllave dhe serbe. Që nga koha e Marie Shllakut,  Gjon Serreqit, Imer Berishës e deri te proceset gjyqësore kundër Bacë Adem Demaçit, denoncues, hetues, torturues dhe dëshmitarë ishin shqiptarë që kishin poste politike, ishin gazetarë, shkrimtarë dhe që paradoksi të jetë edhe më i madh, me ndryshimin e rrethanave u bënë patriotë deri në masën kur u bënë edhe biografë të autoriteteve të vërteta kombëtare. Sa të pafytyrë! Ata që kanë shkruar fjalë dhe fjalime të zjarrta për Bacë Adem Demaçin ishin bashkëpunëtorë të UDB-së dhe dëshmitarë. Shiheni sot mendermethënë Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe na gjeni dikën me një të kaluar të pastër kombëtare,  personale dhe familjare. Analizoni ku janë të sistemuar fëmijët dhe pasardhësit e tyre dhe krahasoni me familjet e patriotëve sakrifikues shqiptarë dhe fëmijët e tyre. Merreni përbërjen e qeverisë aktuale, të presidencës apo kuvendarëve, më gjeni aty patriotë apo sakrifikues për çështjen kombëtare.  Ata që janë kinse trashëgimtarë të një trashëgimie kombëtare, sot janë antikombëtarë brutal dhe të egër. Prandaj edhe jemi ku jemi, po shkojmë ku nuk duhet të shkojmë. Edhe ne e kemi Grenellin tonë përkatësisht, jo mohuesin e Albin Kurtit por hymnizuesin e Kurtit, është Rexhep Qosja akademik e një Akademie që nuk ka bërë asgjë për Kosovën dhe çështjen kombëtare përveç që janë përjargur dhe përqyrrur të gjitha pushteteve, nga atij jugosllav e deri te ky i Kurtit. Edhe pushteteve para regjimit të Kurtit, që nga përfundimi i luftës në Kosovë. Nuk ka asgjë më keq dhe më të mjerë se kur “Ajka e Kombit” i nënshtrohet injorancës së politikës dhe pushtetit. Ai popull nuk ka ardhmëri, përfundimisht pajtohet me mentalitetin e robit dhe nënshtrimit. Rexhep Qosja është shkencëtar dhe dijetar i madh, ndër të rrallët jo vetëm të shqiptarët. Si politikan është shumë i dëmshëm, nuk e kupton politikën, i mungon kurrizi dhe truri politik. Aty ku është ngatërruar në politikë e ka bërë shkret, në kuptimin më të butë të fjalës! Asgjë të hajrit nuk ka bërë në politikë përveç se ka përçarë në Shqipëri dhe Kosovë. Epërsinë intelektuale thuaja mbi të gjithë akterët që sot janë gjallë ose ata që janë duke e kaluar vetingun te Zoti, e ka shndërruar në arrogancë politike, i mbrojtur nga injoranca dhe pushteti politik, fizikisht e sidomos materialisht. Personalitetet me integritet të lartë dhe të pakundërshtueshëm njerëzor, kombëtar dhe moral, sa vlerë të shtuar e kanë neutralitetin. Para zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, Rexhep Qosja, nën përcjellje të lahutarit llaskuc doli me një ftesë urbi et orbi, si të ishte Papa i Shqiptarëve për ta votuar Albin Kurtin dhe LV-në. Pasi Albini dhe Qosja i fituan zgjedhjet ishte koha që Kurti të merret me qeverinë kurse Qosja me shkencën dhe letërsinë. Qosja nuk ndalet. Po e luan rolin e SPAK-ut në Kosovë, si Don Kishoti i Servantesit i ka caktuar rolin ta luftojë “Kartelin mafioz të Drejtësisë”, në vend të Mullinjtë të Erës, i frymëzuar nga Sanço Pança i Mançës, Albin Baba dhe Dylqineja e Padrejtësisë, Lenka Quko. Rexhep Qosja nuk ka kapacitet profesional të merret me çështje të drejtësisë, kapaciteti profesional dhe moral po i shpenzohet dita – ditës. Vdekja po i vjen, “Jo prej syve të tillë por prej kapitullimit të pakusht para injorancës dhe arrogancës së pushtetit dhe politikës”. Njëqind vjet vetmi apo njëqind vjet nënshtrim, ku shihni këtu dallimin. Autori është i njëjtë!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prishtina dhe Drita janë dy skuadrat e radhës që e…