Gjithmonë të kam thënë lamtumirë
Poezi nga Arjana Fetahu-Gaba (Nju Xhersi)
Një shi i rrëmbyer litarë litarë,
Për dreq s’po ndal që nuk po ndal,
Megjithatë nuk është ky shkaku,
Që unë në rrugë s’dua të dal.
Kam qejf të rri në folenë time,
Dhe prap s’po bëj rehat,
Kam një gërryerje si acidi,
Këto kohë thellë në stomak.
Dhe nuk më bëhet të shikoj,
Vetveten në pasqyrë,
Në tru ca zëra më gumëzhijnë,
Nga ky ambient i ndyrë.
Një lloj mërzitje ndjej më shpesh,
(Asnjë mërzitje s’është pa shkak )
Me paradoksët jam në luftë,
Ti djeg në një oxhak.
Por kjo e sotmja qënka ndryshe,
Diçka ti vrave, vrave dje,
Dhe pse qëndroj me këmbë mbi tokë,
Shpirtin e kam nën dhe.
Sa herë të kam thënë lamtumirë,
Më shumë të kam dashuruar,
Po kurrë s’kam dashur të besoj,
Se sa herë veten kam mashtruar.
PO KTHEHEM ATDHE!
Po kthehem tek ti Atdhe,
Si fëmijë i lumtur shoh malluar,
Dritaren e avjonit prek,
Sikur të kam në duar.
Oh ti toka e vendit tim,
Oh I shtrenjti Atdhe,
E ndiej që po më priten gjunjtë,
E zemra fort si zog po m’rreh.
S’ngopem dot me aromën tënde
Si mund te vdisja pa të të pare,
Vitet i endur nëpër botë,
Me lot fëmije I kam larë.
Një pjesë të shpirtit unë lashë,
Tek ti si gjurmë i shtrenjti Atdhe,
Po vij nga kilometra larg,
Por frikë kam a po më njeh?
Kush më beson sa jam malluar?!
Atdheu s’kërkohet nëpër botë,
Ngado të shkosh, të bëhesh mbret,
Do kthehesh prap, po tek kjo tokë.
Tek toka ime ku hodha shtat,
Ku qumshti i nënës m’u bë hallall,
Të flas shqip, e të më ndjejnë,
E t’më shohin që jam gjallë.
Të qaj, të qesh, të marr një valle,
Me rradhë të gjithë ti përqafoj,
I shtrenjti im me kaq shumë halle,
Si kjo ditë s’ka kurrë njësoj.
Unë
Fundvjeshtën e shpirtit tim e prita disi e lumtur.
Me flokë ere që I ngjan veriut të ashpër,
e mendime shiu të butë.
Vijëzuar,
bën rrëkerra fytyrës time,
ku rrëshqet nxitimthi e nxehtë,
loti I fundit.
Unë,
u zhvesha si pemët,
pa lëkurën tënde,
për të rilindur asaj pranvere,
që s’më gënjen.
Lëvozhgat,
do të kthehen në pleh.
Ato janë ngulçimet e mia të fundit.
Shpejt unë kthehem në flutur.
Dhe i huaj
Mbremjen që do hidhesha malit përmatanë,
Ktheva me tim ate një gotë,
Biri im mbamë vesh një fjalë,
Dheu i huaj s’të mban kurrë ngrohtë.
Shikoje mirë këtë copë qiell
Këto pemë të blerta dhe shtëpi,
Këto dritareza pa diell,
Që mbajnë kaq shumë dashuri.
Thithe me forcë këtë ajër bir,
Se është aroma e vëndit tënd,
Një mall si re do të rrijë mbi sy,
Dhe zemra e gjorë çdo çast do të dhëmbë.
Nxirre një gur nga pragu yt,
Si hajmali mbaje me vete,
Ai do të sjell aromën e nënës,
Dhe një tallaz sa njëqind dete.
Mos harro kokën ta kthesh pas,
Dhe pse kaq male ke përshkuar,
Atdheun në gji përjetë ta mbash,
Si flakë zjarresh mbaje të zgjuar.
Dua të të puth në buzë
Dua të të puth buzë diell,
E buzët le t’më digjen flak,
Një përqafim, të përgjërohem,
Sa shumë e dua dhe sikur pak.
Më duaj shpirtin që ka kaq mall,
Pa le të shkrihem në ty o diell,
Dhe sytë në më marrshin zjarr,
Do ti njom me copa qiell.
E trupin në ma sheh gjithë gjak,
Gjithçka e bëj për ne,
Në det do shuhem dhe përsëri,
Do t’ngjitem lart të t’gjej mbi re.
Oh ato rreze mbi timen lëkurë,
I dua dhe nëse lëngoj,
Për dashurinë t’mos shuhet kurrë,
Gjithë botën pushtoj.
Nëse do digjem në ty e më s’kthehem,
Detin porosita për mua mos qaj,
Në e merr malli, më gjen në ngjyrë vjollcat,
Hapsirave skaj më skaj.
Nuk di pse kam frikë
Se di në ke frikë nga vetja, a ke frikë nga unë
Kur çdo natë të ulem mbi sup si pëllumb
A i mbyll qepallat netëve pa gjumë
A më sheh akoma si zambak mbi lumë?
Kujt t’i friksohem vetes apo ty
Kam dërguar erën të t’gjej ata sy
Dashurinë besoje dhe kurrë mos e shty
Kur të do një zemer të jesh gjithmonë aty.
Se di kush prej nesh, nga sho – shoqi fshihet
Puth në ëndrra buzët, lehtë, mos të ndihet
Nga ajo e puthur vrapin marrin hijet
Si vera në butë, që pa pirë s’lihet.
Nuk di pse kam frikë, nuk di në është lojë
Nuk di nga ne të dy, më shumë kush do të dojë
Sytë mbushur me zjarre, por sërish me drojë
Tekat tona vallë, kush mund t’i durojë.
S O N T E
Sonte, në këtë natë të vetmuar vjeshte,
Gjethet duken të lodhura,
Nga përpjekjet t’u qëndrojne degëve,
Ndërsa unë lodhur jam,
Të gdhënd dashurinë në zemrën tënde,
Gërmë për gërmë,
Si në abetare,
Dhe më e çuditshmja,
Unë ngela në klasë.
Ndaj rash poshtë, si një gjethe,
E zverdhur nga fytyra e zhgënjimit.
U tërbua era,
Gjethet dhe mua, na degdisi larg,
Si tymi i një oxhaku të vjetër,
Nëpër re,
Dhe si një shpirt dashurie,
Që vdes pa oksigjen.
Sikleti i një stine të dështuar,
Brënda meje,
Dhe gjethet që kalben në dhe,
Rënkojnë të sëmura,
Për shërim…
Vjeshta,
Një udhëtim pa ndjenja,
Deri në biletën e re, të sythit pranveror.
Sa më merr malli Shqipëri
Sa më merr malli Shqiperi,
Për të bardhat perlat e tua,
Ti shtrihem malit thellë në veri,
Burimin të ta pi, sa dua.
Të shoh, të mallëngjehem e gjitha,
Me bariun që tufën përcjell,
Me qingjat tek kërcejnë hareshëm,
Me tokën punuar e mbjellë.
Të bukurat alpe i dua,
I rrinë atdheut mburojë,
E dua jehonën e bjeshkës,
Lërmë o Zot ta dëgjoj.
Bunës ti vete në rrjedhje,
Ti laj pak sytë e qarë,
Te ec e zbathur pa drojë,
Me vete guriçka të marr.
Liqerin e Lasgushit ta shoh,
Nga të mjeshtrit të lexoj ca vargje,
Pak erë lakrori mjafton,
Kur kaloj ato pragje.
Të mirën myzeqe e dua,
Të urtën, sa shoqen s’ja gjen,
Për grurët që verdhon në arë,
Për bujkun që djersa i vlen.
Dy detet ti dua atdhe,
Të rrinë fustan nusërie,
Jehona e këngës labe,
Thirrje burrërrie.
E dua flamurin krenar,
E nderoj dhe atje në mërgim,
Je mall që mbete pashuar,
Blerimi i shpirtit tim.
Sa shpejt u prish kjo trillë vjeshte
Tashmë nëntori ka hyrë në mes,
Kërkon dhjetorit t’i rrëfejë,
Që është njësoj sikur vera,
Por, gjethet s’dinë të gënjejnë.
Ato po zhveshin të gjithë vjeshtën,
Të verdhë tokën e kanë shtruar,
Tek-tuk ca zogj mbetur mbi degë,
Të zbuluar e të hutuar.
U prish shpejt kjo trillë vjeshte,
Se, shiu zu të bjerë litar,
Po shtyhen retë nga bërrylat,
A thua vallë të jetë janar?!
Se, dimri ka hiletë e veta,
Siç bëri kur shkurtit i mori hua’
Tri ditë thotë legjenda i duheshin në mal,
Të ngrinte plakën me gjithçka.
Dhe nëpër qiell zu të qeshë,
E ngriu motin pak nga pak,
Mësoi vjeshta si të heshtë,
E të kujtojë ç’është dimri plak.
Vajzë e blertë në guackë
Në sy të rrijnë dy dete blu,
Por leshterikët si pëlqen,
Sa herë i sheh shikimin ul,
Dhe frikë ndjen.
Ca rreze dielli hedh nga larg,
Dhe ngrohtësi shpërndan mbi valë,
Mos ngrydh shpirtin në guackë,
Lejoje të dalë.
Ndryshe yjet thellë nën ujë,
S’mund të të shohin pranë në sy,
Rreth guackës gjithë rrëmujë,
Ka ende një shteg për ty.
Vajzë e blertë në guackë,
Emri yt rrezaton dritë,
Si thesar me gurë të çmuar,
Të thërrasin dashuritë.
Mos harro se mbi një shkëmb,
Ku me valët loz një det,
Liria thërret emrin tënd,
Dhe një puthje ëmbël pret.