‘Gjoba deri në 40 mijë euro’, publikohet raporti shqetësues i raportueses speciale të OKB-së për mediet në Kosovë

18 qershor 2024 | 14:18

Raportuesja e Kombeve të Bashkuara për Liri të Mendimit dhe Shprehjes, Irene Khan ka publikuar gjetjet e një raporti pas vizitës së saj në Kosovë. Aty mes tjerash është ngritur shqetësimi për mosndëshkimin e krimeve kundër gazetarëve dhe pluralizmin mediatik.

Qysh në fillim të raportit është përmendur sulmi ndaj gazetarit Valon Syla, i cili para një viti u sulmua fizikisht nga tre persona.

“Raportuesja Speciale është e shqetësuar për rastet e dhunës ndaj gazetarëve, duke përfshirë edhe veriun e Kosovës. Më 11 prill 2023, pronari i gazetës Metro, u ndoq dhe u sulmua nga tre persona teksa kthehej në shtëpi pasi kishte dhënë një intervistë në televizion. Sipas raporteve, rreth 40 raste të sulmeve ndaj gazetarëve në veri të Kosovës janë regjistruar gjatë një periudhe prej disa javësh në maj dhe qershor 2023” është thënë në këtë raport.

Mes tjerash, është përmendur edhe rasti i “Klan Kosovës”, ku është thënë se akuzat kanë ngritur shqetësime serioze për ndërhyrjen në pavarësinë e mediave.

“Në korrik të vitit 2023, pas një kallëzimi penal në polici, autoritetet vendosën të pezullojnë licencën e ‘Klan Kosovës’, një prej mediave më të mëdha në Kosovë. Aktorët e shoqërisë civile kanë pretenduar se pezullimi ishte i motivuar politikisht me synimin për të heshtur median. Këto akuza ngrenë shqetësime serioze për ndërhyrje në pavarësinë e medias, në kundërshtim me standardet ndërkombëtare”, është thënë në raport.

Raporti, ka përmendur edhe emërimin e Luljeta Aliut, si anëtare e bordit të Komisionit të Pavarur të Mediave.

“…Gjatë vizitës, paportuesja Speciale u njoftua se Komisioni nuk ishte funksional për shkak të vonesave në emërimin e disa anëtarëve të tij nga Kuvendi i Kosovës. Që atëherë ajo ka mësuar se vendet vakante janë plotësuar, por se emërimi i një individi është kritikuar si i ‘politizuar’ dhe se nuk përmbush standardet e nevojshme të paanshmërisë dhe pavarësisë politike”, është thënë në raport.

Më tutje, në këtë raport është përmendur edhe Projektligji i ri për KPM-në, ku do t’i ndryshohet mandati “që të mundësohet ushtrimi i kontrollit të shtetit mbi mediet online”.

Aty janë përmendur gjobat deri në 40 mijë euro.

“Raportuesja është e shqetësuar se një projektligj i ri, i cili aktualisht është në shqyrtim në parlament, do të ndryshojë mandatin dhe dizajnin e Komisionit të Pavarur të Mediave për t’i mundësuar atij të ushtrojë kontrollin e shtetit mbi mediat online. Ligji do të prezantonte licencimin e detyrueshëm shtetëror për mediat online dhe një regjim sanksionesh me gjoba të rënda deri në 40 mijë  euro. Raportuesi Special është i shqetësuar se një ligj i tillë mund të keqpërdoret për të heshtur raportimet kritike dhe për të censuruar mediat online, veçanërisht nëse cenohet pavarësia e vetë Komisionit”, është thënë në këtë raport.

Ndërkohë, juristja e medias, Flutura Kusari, ka bërë me dije se ky raport do të prezantohet së shpejti në Këshillin për të Drejta të Njeriut të Kombeve të Bashkuara.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Boksieri britanik Tyson Fury ka mohuar zërat se revanshi i…