Gjoba nga tifozët në Evropian, Shqipëria e dyta pas kroatëve

04 korrik 2024 | 13:45

Kampionati Evropian ka mbërritur në fazën çerekfinale, por shumë ndeshje janë luajtur deri tani. Normalisht që çdo stadium ka qenë i mbushur nga tifozët e kombëtareve të ndryshme, ashtu siç u mbush edhe nga shqiptarët në tri ndeshjet e zhvilluara.

Duke u përpjekur për të dhuruar spektakël, tifozët e kanë tepruar në disa momente edhe me hedhje sendesh në fushë, apo ndezje flakadanësh apo futje të personave në fushën e lojës.

Normalisht këto incidente kanë një penalizim në gjobë nga UEFA dhe sipas një llogaritje deri kur ka mbaruar faza e grupeve, Kombëtarja shqiptare është e dyta nga gjobat e marra nga institucioni i futbollit. Sjellja jo korrekte por jo e tepruar e tifozëve shqiptarë në të tria ndeshjet, ka sjellë 171.375 mijë euro në Federatën Shqiptare të Futbollit.

Rekordin nga kombëtaret e mban Kroacia e cila është gjobitur në total 220.875 mijë euro. Kroatët luajtën me Spanjën, Shqipërinë dhe Italinë, ndërkohë sjellja e tifozëve ka kapur shifrën më të lartë nga kombëtaret. E treta është Serbia, me 166.625 mijë euro. Ata luajtën me Anglinë, Slloveninë dhe Danimarkën.

Ndërkohë, pjesa tjetër kanë një shifër nën 100 mijë euro ku renditen Turqia, Zvicra, Rumania, Hungaria, Austria, Polonia, Sllovenia, Gjeorgjia, Italia, Gjermania, Ukraina, Holanda, Belgjika, Portugalia, Anglia, Danimarka. Poshtë 10 mijë eurove janë Skocia dhe Çekia, ndërsa ka edhe tri kombëtare, ku tifozët e të cilëve nuk kanë bërë asnjë shkelje që përkthehet në asnjë gjobë. Franca, Spanja dhe Sllovakia janë dy kombëtaret që nuk janë gjobitur. Sakaq, nga gjobat UEFA ka arritur të grumbullojë afërsisht 1.3 milionë euro.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kanadaja ka emëruar një grua si ushtaraken më të lartë…