Gjobë 50 mije euro biznesmenit në Durrës, tre të arrestuar
Tre persona janë arrestuar pasi akuzohen për gjobëvënie ndaj një biznesmeni në Durrës.
Policia e shtetit njoftoi sot për operacionin e koduar “Gjobëvënia” si rezultat i të cilit u arrestua Lulzim Zalla nga Fushë Kruja, që konsiderohet nga policia me rrezikshmëri të lartë në fushën e krimeve ndaj personit, Egi Zhullazi nga Kruja dhe Klodjan Estrefi nga Xhafzojat e Durrësit.
“Arrestimi i tyre u bë pasi këta shtetas në bashkëpunim me njëri – tjetrin me anë të kanosjes dhe dhunës, kanë shtrënguar për dhënien e një pasurie prej 50 000 eurosh, shtetasin N. L., banues në Durrës.”
Gjatë operacionit, në momentin e ndërhyrjes, Policia informon se është sekestruar shuma 5000 euro, të cilën e kishin vënë si këst të radhës për t’u paguar nga biznesmeni N. L. Të arrestuarit janë: -L. Z., 45 vjeç, banues në Fushë Krujë, me rrezikshmëri të lartë në fushën e krimeve ndaj personit. -E. Sh., 26 vjeç, banues në Krujë. -K. E., 40 vjeç, banues në Xhafzotaj, Durrës.
Operacioni u ndermorr nga Seksioni për Hetimin ndaj Personit e Pasurisë, në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me Forcat e Posaçme Operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, për hetime të mëtejshme në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur, për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë “, në bashkëpunim./Oranews