Gjobitën Raifeissen Bank, BKT e NLB me 1.6 milionë euro, lëshuan kredi në kundërshtim me rregulloret në fuqi
Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka lëshuar gjoba ndaj tri bankave në Kosovë për shkak të “ekspozimit të depozitave ndaj rreziqeve” dhe në kundërshtim me rregulloret në fuqi. Vendimi është marrë në fillim të këtij viti pas ekzaminimeve të kryera në terren nga inspektorët e BQK-së.
Bankat Raiffeisen, BKT dhe NLB kanë pranuar gjoba në total në vlerë 1.6 milion euro. Prej tyre, Raiffeisen u gjobitë me 800 mijë euro, BKT me 500 mijë euro ndërsa NLB pranoi gjobë prej 300 mijë euro.
Të trija u konstatua se lëshuan kredi në kundërshtim me rregulloret në fuqi, përkatësisht Rregulloren e BQK-së për Ekspozimet e Mëdha.
Sipas kësaj rregulloreje, bankat në Kosovë e kanë të kufizuar ekspozimin kreditor ndaj një huamarrësi të vetëm ose disa personave kur janë të ndërlidhur.
“Asnjë banke nuk i lejohet të ketë ekspozim ndaj një personi të vetëm ose një grupi të personave të ndërlidhur, nëse si rezultat i këtij veprimi, ekspozimi ndaj atij huamarrësi apo grupi e tejkalon pesëmbëdhjetë përqind (15%) të kapitalit të klasit të I-rë”, thuhet në këtë rregullore.
Kapitali i klasit të parë është kapitali i aksionarit, plus fitimet. Çdo ekspozim kreditor ndaj një huamarrësi të vetëm më shumë se 15% për qind e kapitalit të klasit të parë, është në kundërshtim me këtë rregullore.
Nga ekzaminimet në terren për tri bankat në fjalë, u gjet se ato e kishin shkelur këtë rregull me rastin e kredidhënies ndaj një grupi të caktuar të bizneseve. Ndonëse këto biznese ishin paraqitur për kredi si entitete të ndara, nga ekzaminimet u konfirmua se ato kishin ndërlidhje mes tyre.
Në Bankën Qendrore të Kosovës nuk kanë treguar se për cilat biznese bëhet fjalë, ndërsa gjobat i kanë quajtur “masa administrative”, por që nuk kanë të bëjnë me rrezikim të depozitave.
“BQK ju siguron se të gjitha bankat janë plotësisht të sigurta dhe operojnë në pajtim me kërkesat rregullatore, ndaj edhe nuk ka asnjë shqetësim për sigurinë e depozitave në Kosovë, në asnjë kuptim të mundshëm”, thuhet në përgjigjet e BQK-së, raporton Buletini Ekonomik.
Sipas BQK-së, ky institucion në detyrat e saj mbikëqyrëse dhe monitoruese, ndërmerr edhe masa adekuate administrative apo korrigjuese ndaj tyre si dhe gjithë institucioneve financiare, në pajtim me kornizën ligjore dhe rregullative në fuqi.
Ndryshe, rastet e aplikimit të gjobave në sektorin bankar të Kosovës janë të rralla, aq më tepër në vlerë kaq të lartë monetare.