Gjobitet me 2 mijë e 500 euro mërgimtari që kanosi deputetin Dimal Basha
Pas arritjes së marrëveshjes për pranim fajësie me Prokurorinë, mërgimtari Bajram Isufi është dënuar me 2 mijë e 500 euro gjobë për kanosjen e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha.
Aktgjykimi ndaj Isufit u shpall të hënën nga gjykatësi Dibran Isufi, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Gjykatësi Isufi tha se sipas marrëveshjes për pranim fajësie, i akuzuari dënohet me 180 ditë burgim i cili dënim i zëvendësohet me 2 mijë e 500 euro gjobë.
I akuzuari obligohet që gjobën prej 2 mijë e 500 euro ta paguajë me tri këste, për shkak të gjendjes së tij të dobët ekonomike.
Paraprakisht, prokurori Kastriot Berisha i propozoi gjykatës ta aprovojë marrëveshjen për pranim fajësie, pasi tha se është në përputhje me dispozitat e nenit 230 të Kodit të Procedurës Penale.
Prokurori shtoi se i akuzuari gjatë gjithë kohës ka qenë i përfaqësuar me mbrojtës të caktuar sipas detyrës zyrtare, i ka kuptuar të drejtat, benefitet dhe pasojat e pranimit të fajësisë dhe vullnetarisht ka hyrë në këtë marrëveshje.
Deputeti Basha tha se i bashkëngjitet ndjekjes penale, ndërsa nuk paraqet kërkesë pasurore-juridike.
Në anën tjetër, i akuzuari kërkoi falje për veprën e kryer dhe shtoi se kishte kërkuar falje edhe në Prokurori. Tha se veprën e kishte kryer pasi ka qenë në gjendje jo të mirë shëndetësore.
Mbrojtësi i të akuzuarit Isufi, avokati Shemdi Bunjaku, tha se i mbrojturi i tij ka arritur marrëveshje për pranim fajësie me Prokurorinë dhe se i akuzuari në Prokurori ka deklaruar që është involvuar në këtë çështje penale pa dashje e që më pas ka kuptuar se veprimet e tij kanë qenë ndesh me ligjin. Ai shtoi se i mbrojturi i tij kishte deklaruar se krejt kjo situatë ka ardhë si pasojë e shëndetit jo të mirë në atëkohë.
Sipas aktakuzës së përpiluar më 23 shkurt 2024, thuhet se i akuzuari Bajram Isufi me banim në Gjermani, përmes rrjetit social “Facebook” me qëllim të frikësimit e ka kanosur seriozisht deputetin Dimal Basha në lidhje me punën dhe pozitën e tij, duke i shkruar mesazh në Facebook me fjalët “te kqyrum kujna po i shkon e kujt jo o p** n***! Plumba për tradhëtar të kombit ka me pas gjithë dhe ko me pas! Perhajr ju koft tash edhe rune prapani** dhe familjen se tash e tutje s’dihet se ku ka me ju kersit!”.
Po ashtu, thuhet se i ka shkruar edhe mesazh tjetër me fjalët: “mos ha fort se bonbën në gojë ta shtijn gjinja, i vonshëm je ti”. Këto mesazhe, sipas Prokurorisë i kanë shkaktuar frikë dhe ankth deputetit Basha.
Andaj, me këto veprime Isufi ngarkohej se ka kryer veprën penale “Kanosja” nga neni 181, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.