Gjonaj: Reforma në drejtësi, ide e kthyer në vizion nga PS, sot realitet i prekshëm

23 mars 2021 | 22:57

Ministrja e Drejtësisë në Shqipëri, Etilda Gjonaj, në fjalën e saj në Kuvend ka theksuar se reforma në drejtësi është një ide e kthyer në vizion nga Partia Socialiste.

Sipas saj, kjo reform në drejtësi është sot, një realitet i prekshëm për të gjithë.

“Dëgjuam zërin e qytetarëve kur ndërmorrëm këtë reformë transformuese, për të pastruar pallatin e drejtësisë nga korrupsioni, për t’i dhënë qytetarëve një drejtësi të barabartë dhe të drejtë, një reformë që vetëm Partia socialiste mund ta ideonte, ta hartonte dhe ta zbatonte. Partia Socialiste mori një hap historik, si kurrë më parë në 30 vjet pluralizëm, ku kemi patur si kryefjalë në këto 8 vjet qeverisjeje, reformën në drejtësi, atë reformë e cila për herë të parë solli dritë në fund të tunelit, për t’i kthyer qytetarëve drejtësinë e munguar. Përmes kësaj reforme kemi hedhur themelet e forta për të shpëtuar njëherë e përgjithmonë gjyqësorin nga kthetrat e korrupsionit dhe krijimin e një sistemi drejtësie të denjë për çdo qytetar shqiptar”, ka thënë ministrja Gjonaj.

Ajo ka theksuar se reforma në drejtësi dhe jetësimi i saj ka qënë gjatë këtyre katër viteve një sfidë jetike për të ardhmen e drejtësisë, një luftë e përditshme, ku gjithmonë kanë qënë dy palë, si dy botë, “ne në krah të kësaj reforme dhe që e kemi mbrojtur dhe mbështetur fort dhe pala tjetër që e ka penguar, e ka bllokuar, e ka goditur me ckanë mundur dhe si kanë mundur”, është shprehur ajo

Fjala e plotë e ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj:

Reforma në drejtësi, një ide e kthyer në vizion nga Partia Socialiste, eshtë sot, një realitet i prekshëm për të gjithë.

Dëgjuam zërin e qytetarëve kur ndërmorrëm këtë reformë transformuese, për të pastruar pallatin e drejtësisë nga korrupsioni, për t’i dhënë qytetarëve një drejtësi të barabartë dhe të drejtë, një reformë që vetëm Partia socialiste mund ta ideonte, ta hartonte dhe ta zbatonte.

Partia Socialiste mori një hap historik, si kurrë më parë në 30 vjet pluralizëm, ku kemi patur si kryefjalë në këto 8 vjet qeverisjeje, reformën në drejtësi,

atë reformë e cila për herë të parë solli dritë në fund të tunelit, për t’i kthyer qytetarëve drejtësinë e munguar.

Përmes kësaj reforme kemi hedhur themelet e forta për të shpëtuar njëherë e përgjithmonë gjyqësorin nga kthetrat e korrupsionit dhe krijimin e një sistemi drejtësie të denjë për çdo qytetar shqiptar.

Gjatë gjithë rrugëtimit të saj, ka patur përpjekje të shumta për ta ndaluar, për ta vonuar, për ta kthyer, por pavarësisht këtyre përpjekjeve reforma në drejtësi është e pandalshme, e pakthyeshme dhe rezultatet e saj deri tani janë një dëshmi e pakontestueshme.

Një dëshmi që e shohin të gjithë qytetarët, një dëshmi që e njohin partnerët ndërkombëtarë që kanë bashkëshoqëruar këtë reformë që në fillimet e saj, hap pas hapi, me shumë përulësi jemi falenderues për mbështetjen e tyre të pakursyer dhe konsistente në nivel politik dhe Teknik.

Reforma në drejtësi dhe jetësimi i saj ka qënë gjatë këtyre 4 viteve një sfidë jetike për të ardhmen e drejtësisë, një luftë e përditshme, ku gjithmonë kanë qënë dy palë, si dy botë, ne në krah të kësaj reforme dhe që e kemi mbrojtur dhe mbështetur fort dhe pala tjetër që e ka penguar, e ka bllokuar, e ka goditur me ckanë mundur dhe si kanë mundur.

Dhe janë këta pala tjetër, që janë bashkuar të gjithë në një kontratë politike dhe interesash për zgjedhjet e ardhshme por më shumë se sa 25 prilli, i bën bashkë frika ndaj reformës në drejtësi.

Këto 4 vjet të vështirë për ndërtimin e sistemit të ri të drejtësisë na kanë mësuar dhe na kanë treguar se sa i kalbur dhe i kapur ishte sistemi I drejtësisë dhe se lufta për të bërë drejtësinë ja ka vlejtur.

Sot themi me plot bindjen se sistemi i ri i drejtësisë bazohet në një kuadër kushtetues dhe ligjor të plotë të miratuara 4 vite më parë, që shmang çdo ndikim politik në funksionimin e gjyqësorit.

Ky kuadër ligjor u fuqizua dhe më shumë përmes ndryshimeve të sjella nga paketa ANTIKÇK, për të goditur edhe me thellë fenomenet korruptive që kanë ngërthyer jo pak herë gjyqësorin.

Të gjitha këto, vetëm për të mbajtur të fortë, e për ta shpëtuar drejtësinë e gangrenizuar nga gjyqtarë e pushtetarë të korruptuar, të cilët e përdorën sistemin në funksion të të fortit dhe jo të drejtësisë.

Në fillim, shumëkush mendonte se gjyqtarët dhe prokurorët ishin imun, por ja që pastrimi I pallatit të drejtësisë nga gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar dhe të lidhur apo që vepronin në favor të krimit, po realizohet dita ditës. 340 gjyqtarë dhe prokurorë janë vettuar deri tani dhe 58 % e tyre janë shkarkuar apo larguar nga organet e vettingut, institucione tërësisht funksionale, tërësisht të pavarura të cilët e kryejnë këtë proces së bashku Operacionin ndërkombëtar të Monitorimit.

Me krenari sot mund të themi se të gjitha institucionet e reja të sistemit të drejtësisë janë tërësisht të ngritura dhe funksionale dhe kanë dhënë prova me rezultate konkrete.

Sot kemi të ngritura dhe në funksion këshillat, atë gjyqësor dhe atë të prokurorisë, si dy organe të pavarura të qeverisjes të sistemit të drejtësisë të cilat kanë kryer procese të rëndësishme në promovimin, emërimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, dhe në ngritjen e institucioneve të reja.

Sot kemi të emëruar Prokurorin e përgjithshëm, pas një procesi verifikimi dhe vlerësimi nga Këshilli I Lartë I prokurorisë.

Sot kemi të emëruar dhe në funksion Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, që tashmë si një institucion I pavarur inspekton gjyqtarët dhe prokurorët me qëllim që të ndëshkohen rastet e shkeljes së ligjit.

Sot kemi një Gjykatë Kushtetuese funksionale, me kuorumin e nevojshëm, ku pavarësisht sfidave të jashtëzakonshme, u finalizua emërimi I tyre, nëpërmjet një procesi tërësisht të pavarur nga preferencat e politikës.

Sot kemi 3 gjyqtarë të Gjykatës së Lartë të cilët vijojnë punën për të ulur me ritme të shpejta numrin e cështjeve të shumta që presin të gjykohen nga kjo gjykatë. Kësaj trupe pritet shumë shpejt t’i shtohen anëtarët e rinj që do të emërohen nga Këshilli I lartë gjyqësor.

Sot kemi tërësisht funksionale strukturën e SPAK, ku pritet ti bashkohet edhe struktura e plotësuar e BKH-së, e cila do të hetojë korrupsionin në nivele të larta dhe krimin e organizuar.

Pritshmëritë e qytetarëve dhe tonat janë shumë të larta për SPAK, si një ndër institucionet më të rëndësishme të reformës në drejtësi, ku pandëshkueshmëria duhet të jetë kryefjala e këtij institucioni.

Por edhe sot një vit nga ngritja e SPAK, ka rezultatet konkrete në drejtim të hetimit të funksioanrëve më të lartë në gjyqësor, si ish-Prokuror i Përgjithshëm, gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, komisionerë zgjedhorë, të cilat dëshmojnë dita ditës që askush nuk është më imun nga drejtësia e re, dhe se koha e pandëshkueshmërisë ka marrë fund.

Të gjithë anëtarët e këtyre institucioneve, gjyqtarët e gjykatave të larta si dhe prokurorët e SPAK kanë kaluar me sukses procesin e vettingut, duke garantuar integritet dhe llogaridhënie për të gjithë anëtarët e institucioneve të gjyqësorit të reformuar.

E paprecedentë në këtë reformë, ka qënë mbështetja financiare që Qeveria shqiptare, kjo maxhorancë I ka dhënë reformës në drejtësi, dhe ka qënë e pandalshme, duke kapërcyer të gjitha mundësitë tona, pavarësisht edhe vështirësive të shkaktuara nga dy fatkeqësitë natyrore që u godit Shqipëria gjatë 2019 dhe 2020.

Kjo është një dëshmi e pastër e vullnetit dhe mbështetjes sonë për të avancuar me agjendën e reformës në çdo aspekt të saj.

Buxheti i sistemit të drejtësisë, është rritur me 4.4 Miliardë lekë që prej 2016.

Sot sistemi i drejtësisë ka 869 punonjës më shumë në të gjithë sistemin, krahasuar me periudhën para reformës në drejtësi.

Pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve të të gjitë sistemit janë rritur mesatarisht 101 % më shumë se në 2016.

Institucionet e vettingut, prokurorët dhe gjyqtarët e SPAK, kanë dy fishin e pagës më të lartë shtetërore, për ti dhënë të gjitha garancitë për të luftuar pa kompromis korrupsionin.

Reforma në drejtësi është ndërkombëtarisht e gjithëpranuar dhe vlerësuar.

Vetëm para pak ditësh, ishte Gjykata Evropiane e Strasbourgut që certifikoi ligjshmërinë e procesit të vetingut, duke e konsideruar atë si një mekanizëm të drejtë dhe në përputhje me të gjithë standardet më të mira evropiane.

4 vjet nuk janë shumë për historinë e një vendi në përpjekjet shtetformuese, për hartimin dhe zbatimin e reformës në drejtësi, për vetë përmasat e kësaj reforme.

Që synon të shëmbë një sistem të kalbur, dhe mbi të, të ndërtojë jo thjesht një pallat qoftë edhe me arkitekturë të bukur por mbi të gjitha të ndërtojë një pushtet të ri drejtësie, me një sërë institucionesh të reja që synojnë të garantojnë drejtësi të re, të barabartë, dhe për ti dhënë fund njëherë e mirë pandëshkueshmërisë dhe për të rifituar besimin e qytetarëve tek drejtësia.

Përpjekjet tona për ta kthyer Shqipërinë në një partner të besushëm dhe solid edhe në bashkëpunimin për luftën kundër krimit transnacional, vërtetohet në emërimin e prokurorit të parë ndërlidhës në EUROJUST.

Një vend qendror në të gjithë përpjekjet tona madhore ka lufta kundër korrupsionit në çdo qelizë të administratës. Për çrrënjosjen e korrupsionit kemi punuar intensivisht dhe do të vijojmë të punojmë pareshtur, duke qënë të vetëdijshëm se kemi ende shumë punë për të bërë. Megjithatë, jemi besimplotë se bazat e shëndosha që kemi vendosur na mundësojnë arritjen e rezultateve në vijim.

Në këto 4 vite, Qeveria Shqiptare ka jetësuar mekanizma të qendrueshëm dhe të dedikuar në luftën kundër korrupsionit.

Task Forca kundër Korrupsionit ka goditur intesivisht korrupsionin në administratë, duke marrë 573 masa disiplinore për punonjësit e administratës publike, dhe duke kallzuar në Prokurori 36 raste.

Rrjeti i Koordinatorëve kundër Korrupsionit, ngritur në 17 agjenci është sot një avokat i çdo qytetari ndaj çdo zyrtari që kërkon rryshfet.

Përmes një sistemi masiv digjitalizimi kemi bërë realitet shmangien graduale të korrupsionit në sportele, përmes krijimit të shërbimeve publike online në platformën e-albania.

Për të krijuar një administratë të pastër dhe me integritet, për herë të parë Ministria e Drejtësisë ka ndërtuar mekanizma për zbatimin e planeve të integritetit për administratën publike, e cila filloi me Ministrinë e Drejtësisë dhe do të shtrihet në mënyrë kapilare në të gjithë ministritë e tjera.

Në luftën kundër korrupsionit, aleati kryesor janë qytetarët dhe klima e dialogut në të gjitha politikat e ndërtuara nga ne duke përfshirë të gjithë aktorët e shoqërisë civile, biznesit dhe bota akademike.

Kemi ende për të bërë por njohja e rezultateve të luftës kundër korupsionit të deritanshme nga aktorët ndërkombëtarë është sot e faktuar më shumë se kurrë.

Për herë të parë dhe si një histori suksesi në rajon, Shqipëria ka marrë vlerësimin me pozitiv nga GRECO në luftën kundër korrupsionit, me plotësimin e 9 nga 10 rekomandimeve.

Gjithashtu, në indeksin e perceptimit të korupsionit të matur nga Transparency International, Shqipëria ka fituar 3 pikë më shumë që nga 2013 si dhe është renditur dy vende më lartë, duke e bërë Shqipërinë të vetmin vend në rajon që shënon rritje për këtë periudhë 8 vjeçare.

Komisioni Evropian gjithashtu ka përshëndetur forcimin e kapaciteteve administrative, koordinuese dhe monitoruese në luftën kundër korupsionit, duke ofruar dhe mbështetje buxhetore direkte në vlerën 6.8 milion Euro.

Me këto sfida e beteja përpara, kemi bindjen e patundur se Partia Socialiste është e vetmja forcë politike që mund të ngrihet në nivelin e këtyre sfidave dhe ti përballojë ato me sukses.

Jemi të vetëdijshëm se kemi ende shumë për të bërë dhe Ne do të vijojmë betejën tonë për të forcuar shtetin e së drejtës, për një vënd më të drejtë, më të barabartë dhe më të sigurt.

Ju faleminderit!

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lumir Abdixhiku ka falënderuar të gjithë përfaqësuesit e LDK-së nëpër…