Gjoshi: Kurti në aeroport në përpjekje për të improvizuar normalitetin
Sekretari për organizim në PDK, Betim Gjoshi tha se prezenca e kryeministrit Albin Kurti në aeroportin “Adem Jashari” në ditën e parë të lëvizjes pa viza në zonën Shëngen, është një përpjekje për të improvizuar normalitetin në rrethana kur qytetarët e Kosovës po përballen me pasoja të politikave të tij.
“Sot, njerëzit po ikin në Gjermani e shtete tjera për shkak të fushatës një-dekadëshe të opozitës antishtetërore të Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje që e portretizuan Kosovën si një vend të pajetueshëm. Kjo fushatë kaq e gjatë dhe e pandërprerë, po jep pasojat e saj deri në prishjen e ekuilibrit demografik”, shkroi ai në Facebook.
“Sot, njerëzit po shpresojnë të gjejnë veten në shtete tjera për shkak të zullimit të madh që Albin Kurti dhe Vetëvendosje kanë shtrirë mbi jetën e qytetarëve. Nuk ka mbetur gjë në Kosovë që nuk faturohet shtrenjtë. Sot, Albin Kurti është një ofendues e arrogant ndaj policëve të Kosovës, mësuesve, mjekëve, sindikatave, shërbyesve civilë, bizneseve, e ndaj kujtdo që ka një kërkesë për Qeverinë e Kosovës”, shtoi Gjoshi.
“Pra, Albin Kurti dhe Vetëvendosje janë shndërruar në demotivuesit kryesorë që njerëzit po largohen”.