Gjoshi: Nuk duhet të shkohet në zgjedhje pa reformë zgjedhore
Anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Betim Gjoshi, ka thënë se nuk duhet të shkohet në zgjedhje të parakohshme parlamentare pa u përfunduar reforma zgjedhore.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka vlerësuar se institucionet shtetërore duhet ta kenë prioritet reformën në mënyrë që të eliminohen paqartësitë dhe të metat që ka ligji aktual.
“Kjo çështje është në vullnetin e partive politike por, sipas mendimit tim, nuk do të shkonim në zgjedhje pa një reformë zgjedhore. Reforma do t’i eliminonte problemet të cilat po i përcjellin proceset zgjedhore. Pa marrë parasysh se këto 4-5 palë zgjedhjet e fundit ishin sipas standardeve ndërkombëtare, ka disa nevoja të domosdoshme që i kemi adresuar si KQZ te Kuvendi, të cilat duhet të marrin përgjigje”, është shprehur Gjoshi.
Ai ka thënë se nëse partitë politike bazohen në atë që është e nevojshme për Kosovën dhe jo për interesa individuale, reforma do të sillte zgjedhje më demokratike, më gjithëpërfshirëse, më transparente, më të sakta në numërim si dhe rezultat të vullnetit të qytetarëve. Sipas Gjoshit, kjo reformë do t’i eliminonte problemet të cilat po i përcjellin proceset zgjedhore.
“Mendoj se reforma do të duhej të ishte detyra e parë të cilën duhet ta përfundonin partitë politike dhe institucionet shtetërore. Përveç detyrimeve karshi integrimit evropian, asnjë çështje tjetër nuk është më e domosdoshme sesa reforma zgjedhore. Sidomos në këtë periudhë kur nuk kemi ndonjë orar zyrtar të zgjedhjeve. Pra, kjo do të ishte koha më e mirë për ta përfunduar me sukses reformën zgjedhore. Madje në Kuvendin e Kosovës ekziston edhe një draftligj që ka kaluar leximin e parë dhe i cili do të ishte mundësi e mirë për të vazhduar më tutje këtë proces”, ka deklaruar Gjoshi. Ai ka bërë me dije se shumë shpejt do të emërohet edhe përbërja e re e KQZ-së.
“Epoka e re”: Z. Gjoshi, ndonëse ende nuk është mandatuar përbërja e re e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), partitë politike po kërkojnë zgjedhje të parakohshme parlamentare. Nëse shkohet në zgjedhje të reja, KQZ-ja mund t’i organizojë ato?
Gjoshi: Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) është në detyrë dhe së shpejti pritet të emërohet përbërja e re e KQZ-së. Mirëpo, nëse veç ndodhë që të shpallen zgjedhjet, natyrisht se KQZ-ja do t’i organizojë sepse shpallja e zgjedhjeve automatikisht ia vazhdon mandatin KQZ-së. Ashtu siç i kemi mbajtur zgjedhjet në vitin 2013 dhe në vitin 2014, do t’i mbanim edhe tash. Përbërja aktuale e KQZ-së ka për detyrë t’i organizojë zgjedhjet derisa të emërohet përbërja e re.
“Epoka e re”: Kur pritet që KQZ-ja ta ketë përbërjen e re?
Gjoshi: Sa kam njohuri, Zyra e Presidentit është në procedurë të zgjedhjes së përbërjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Për këtë është kompetente të deklarohet Zyra e Presidentit.
“Epoka e re”: Ju do të jeni edhe për një mandat pjesë e këtij komisioni?
Gjoshi: Unë deri në emërimin e përbërjes së re të KQZ-së e kam për detyrë ta mbaj pozitën. Pra, jam anëtar i KQZ-së në detyrë. Nuk kam më pretendime të jem pjesë e KQZ-së edhe në të ardhmen, sepse kam plane të tjera personale në të cilat do të angazhohem.
“Epoka e re”: Duke pasur parasysh se jeni pjesë e KQZ-së gati që një dekadë dhe keni organizuar e vëzhguar shumë procese zgjedhore, mendoni se duhet të mbahen zgjedhjet e reja pa reformë zgjedhore?
Gjoshi: Kjo çështje është në vullnetin e partive politike por, sipas mendimit tim, nuk do të shkonim në zgjedhje pa një reformë zgjedhore. Reforma do t’i eliminonte problemet të cilat po i përcjellin proceset zgjedhore. Pa marrë parasysh se këto katër-pesë palë zgjedhjet e fundit ishin sipas standardeve ndërkombëtare, ka disa nevoja të domosdoshme që i kemi adresuar si KQZ te Kuvendi, të cilat duhet të marrin përgjigje.
“Epoka e re”: Si duhet të veprohet në këtë drejtim në mënyrë që partitë politike dhe liderët e tyre të binden për ta realizuar reformën zgjedhore?
Gjoshi: Muajin e kaluar shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian, Natalya Apostolova, ka filluar një iniciativë për adresim të rekomandimeve të vëzhguesve të BE-së dhe në mesin e tyre janë edhe disa adresime për reformë zgjedhore. Pjesë e këtij takimi kanë qenë edhe përfaqësuesit e partive politike si dhe kanë dhënë zotime se secili nga përgjegjësia e vet do të marrë edhe hapa konkretë për të mbështetur një reformë të përgjithshme, e cila do ta përfshijë kodin zgjedhor, ligjin për partitë, pra do ta përfshinte komplet kuadrin ligjor sa iu përket zgjedhjeve.
“Epoka e re”: Sa ka gjasa të ndodhë një gjë e tillë, kur kemi parasysh se kjo çështje tash e sa vjet ka mbetur në sirtarë?
Gjoshi: Mendoj se reforma do të duhej të ishte detyra e parë të cilën duhet ta përfundonin partitë politike dhe institucionet shtetërore. Përveç detyrimeve karshi integrimit evropian, asnjë çështje tjetër nuk është më e domosdoshme sesa reforma zgjedhore, sidomos në këtë periudhë kur nuk kemi ndonjë orar zyrtar të zgjedhjeve. Pra, kjo do të ishte koha më e mirë për ta përfunduar me sukses reformën zgjedhore. Madje në Kuvendin e Kosovës ekziston edhe një draftligj që ka kaluar leximin e parë dhe i cili do të ishte mundësi e mirë për të vazhduar më tutje këtë proces.
“Epoka e re”: Cilat mendoni se duhet të jenë pikat kryesore që do t’i përfshijë kjo reformë?
Gjoshi: Pikat ku duhet të ndërmerren masat janë të evidentuara edhe në raportin e Bashkimit Evropian. Një prej tyre do të jetë forcimi i këshillave të vendvotimeve, shikimi i procedurave për votim të personave jashtë vendit ku do të shikohet mundësia të organizohet atje votimi, përforcimi i mekanizmave për parandalimin e keqpërdorimit të votave preferenciale për kandidatët për deputetë dhe asamblistë, rritja e transparencës, përdorimi i teknologjisë dhe çështje të tjera.
“Epoka e re”: Reforma zgjedhore do ta avanconte procesin zgjedhor në përgjithësi?
Gjoshi: Nëse partitë politike e kanë seriozisht reformën zgjedhore dhe bazohen në atë që është e nevojshme për Kosovën dhe jo për interesa individuale, mendoj se reforma zgjedhore do të sillte zgjedhje më demokratike, më gjithëpërfshirëse, më transparente, më të sakta në numërim dhe rezultat të vullnetit të qytetarëve. Institucionet shtetërore duhet ta kenë prioritet reformën zgjedhore në mënyrë që të eliminohen paqartësitë dhe të metat që ka ligji aktual për zgjedhjet. Nuk është me rëndësi nëse do të jetë iniciator Kuvendi, presidenti, grupet parlamentare apo dikush tjetër. E rëndësishme është që sa më shpejt të fillohet reforma zgjedhore.
Shqipe HETEMI