Gjoshi: Sot Kosova drejtohet nga njerëz që nuk kanë vënë asnjë gur në ndërtimin e shtetit
Sekretari elektoral i PDK-së, Betim Gjoshi, përmes një postimi në llogarinë “Facebook” ka shkruar për konventën e kësaj partie që do të mbahet më 3 korrik dhe për zhvillimet e përgjithshme në vend.
Gjoshi ka thënë se sot, Kosova drejtohet nga njerëz që nuk kanë vendosur asnjë gurë në ndërtimin e shtetit.
“Sot, në mungesë të dy liderëve, Thaçi dhe Veseli, Kosova është tërësisht e çakorduar si në politikë te brendshme, por edhe në politikën e jashtme”, ka shkruar Gjoshi.
Ai ka theksuar se në këto rrethana të rënda në të cilat ndodhet shteti i Kosovës, e ka të domosdoshme një Parti Demokratike të Kosovës, të fuqishme.
“Vetëm një PDK e fuqishme, e konsoliduar dhe opozitare e vërtetë, do t’i shërbejë shtetit të Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi. Pa një PDK të tillë, Vetëvendosje dhe Albin Kurti mund të sjellin çfarëdo marrëveshje të dëmshme dhe të rrezikshme për Kosovën dhe çështjen shqiptare. Albin Kurti dhe Vetëvendosje janë të paaftë përballë Serbisë”, ka shkruar Gjoshi.
Postimi i plotë i Gjoshit:
Të dashur mbështetës të PDK-së!
Viti 2020 ka qenë i rëndë jo vetëm për Partinë Demokratike të Kosovës, por edhe për shtetin e Kosovës.
Sot, në mungesë të dy liderëve, Thaçi dhe Veseli, Kosova është tërësisht e çakorduar si në politikë te brendshme, por edhe në politikën e jashtme.
Sot, Kosova drejtohet nga njerëz që nuk kanë vendosur asnjë gurë në ndërtimin e shtetit të Kosovës. Në shumë raste, këta njerëz e kanë luftuar idenë e shtetit të Kosovës. Të njejtit po vazhdojnë të sillen njësoj, ta dëmtojnë edhe më shumë shtetin e Kosovës, sidomos në politikën e jashtme, duke e paraqitur atë si një shtet të dështuar. Në shumë raste Serbia dhe Rusia nuk kanë nevojë të deklarohen, sepse është politika e jashtme e drejtuar nga Vjosa Osmani dhe Albin Kurti që bëjnë deklarata skandaloze. Kjo politikë e jashtme, po e çon Kosovën drejt konfliktit me shtete mike dhe përkeqësimit të raporteve. Kjo rrugë, do ta çojë Kosovën drejt izolimit.
Të dashur mbështetës të PDK-së!
Në këto rrethana të rënda në të cilat ndodhet shteti i Kosovës, e ka të domosdoshme një Parti Demokratike të Kosovës, të fuqishme!
Vetëm një PDK e fuqishme, e konsoliduar dhe opozitare e vërtetë, do t’i shërbejë shtetit të Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi.
Pa një PDK të tillë, Vetëvendosje dhe Albin Kurti mund të sjellin çfarëdo marrëveshje të dëmshme dhe të rrezikshme për Kosovën dhe çështjen shqiptare. Albin Kurti dhe Vetëvendosje janë të paaftë përballë Serbisë.
Pa një PDK të fuqishmë, e cila e ka të qartë se kush janë miqtë dhe armiqtë, Kosova rrezikon të humbasë rrugën e konsolidimit në rrafshin ndërkombëtar. NATO-ja, BE-ja dhe partneriteti i përhershëm me SHBA-të, janë rrugë që nuk duhet ndryshuar për asnjë moment dhe PDK-ja është e vetmja forcë që mund ta drejtojë Kosovën, por edhe të mos lejojë të tjerët të rrëshqasin në drejtimin e gabuar.
Të shtunën e 3 korrikut do ta kemi një mundësi ideale që Kosovës t’i japim një PDK të fuqishme, e cila mungesën e dy liderëve shtetndërtues, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, do ta kthejë në fuqi për rrugëtimin përpara, deri në rikthimin e tyre fitimtar.
Drejtuesit e rinj të Partisë Demokratike të Kosovës, nuk do të jenë të zgjedhurit e zakonshëm të partisë. Ata do të jenë në ballë të ballafaqimit me politikën e dëmshme të drejtuar nga Vjosa Osmani dhe Albin Kurti.
Në këtë betejë, natyrisht se pjesë e pandashme është edhe z. Hoxhaj, i cili ka drejtuar politikën e jashtme të Kosovës me një mençuri e kujdes të jashtëzakonshëm, e jo sikur këta konfliktuozët që nuk e dijnë as kush janë aleatët e shqiptarëve. Por, jo vetëm kaq, pasi që z. Hoxhaj meriton respekt edhe për drejtimin e partisë në kohën më të vështirë të saj.
Në betejën e madhe që do të nisë PDK-ja pas 3 korrikut, barrën dhe përgjegjësinë më të madhe do të ketë Kryetari i ri dhe organet drejtuese. Ky është një moment i duhur që Kryetarit të ri t’i urojmë sukses dhe mbarësi në rrugëtimin e ri.
Partia Demokratike e Kosovës çdoherë ka gjetur unitetin edhe në kohët më të vështira të saj. Është në natyrën e PDK-së të përballet me vështirësi, sepse edhe betejat nuk i ka pasur asnjëherë të lehta.
Historia e njerëzve që krijuan PDK-në është e fuqishme. Asnjë parti tjetër nuk e ka.