Gjoshi thotë se statistikat e ASK-së po e fundosin propagandën e Kurtit
Sekretari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Betim Gjoshi, ka bërë me dije se fjalët e kryeministrit Albin Kurti për prosperitet demokratik janë propagandë.
Ai ka vlerësuar se statistikat po nxjerrin në shesh propagandën e tij dhe po dëshmojnë të vërtetën për gjendjen e rëndë ekonomike.
Gjoshi ka thënë se sipas ASK-së, “43.4 për qind e ekonomive familjare në Kosovë nuk mund të përballojnë një shpenzim të papritur prej 100 euro”.
“Janë të kota fjalët e mëdha të Albin Kurtit për prosperititetin ekonomik të Kosovës. Statistikat po nxjerrin në shesh propagandën e tij dhe po dëshmojnë të vërtetën për gjendjen e rëndë ekonomike nëpër të cilën po fundosen çdo ditë, me radhë, familjet kosovare. Të dhënat që vijnë nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, që flasin për vitin 2022, por që janë publikuar në vitin 2023, janë shqetësuese. Sipas ASK-së: ‘43.4 për qind e ekonomive familjare në Kosovë nuk mund të përballojnë një shpenzim të papritur prej 100 euro’”, ka shkruar Gjoshi në “Facebook”.
Ai ka thënë se gjatë qeverisë Kurti vazhdimit është shtrenjtuar jeta e qytetarëve.
“Pra, ja çka i ka bërë Kosovës, i paafti Albin Kurti. Duke e shtrenjtuar çdo ditë jetën e qytetarëve të Kosovës, qytetarët nuk po arrijnë të mbajnë para, sepse ato duhet shpenzuar në fatura të domosdoshme dhe të detyrueshme. Edhe pse këto shpenzime/fatura janë rritur, në raste të caktuara 115 për qind siç është rasti me energjinë elektrike, Kurti dhe qeveria e tij nuk ka ndërmarrë asnjë hap të vetëm për të rritur pagat apo për të marrë masa që këto shtrenjtime të mos ndodhnin”, ka shkruar Gjoshi.