Gjuajti me AK-47 në aheng familjar, policia arreston 27-vjeçarin në Suharekë
Policia e Kosovës ka arrestuar një 27-vjeçar në Sallagrazhdë të Suharekës, pasi i njëjti dyshohet se ka shtënë me armë zjarri në një aheng familjar.
“Me datën 31.07.2024 rreth orës 00:11 është raportuara për një gjuajtje më armë zjarri në një gazmend në fshatin Sallagrazhd, Suharekë. Policia ka reaguar menjëherë por i dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes. Në lidhje me rastin e raportuar, Sektori i Hetimeve i Stacionit Policor të Suharekës ka vazhduar hetimet dhe kanë punuar për arrestimin e të dyshuarit, i njëjti sot me datë 31.07.2024 rreth orës 08:30 është paraqitur në Stacionin Policor të Suharekës, gjithashtu e ka dorëzuar armen e zjarrit pushkë automatike (AK-47) dhe një karikator të zbrazet, pra është dorëzuar arma me të cilën dyshohet se kishte shtënë në gazmendin familjar në fshatin Sallagrazhdë, Suharekë”, thuhet në njoftimin e policisë.
I dyshuari (S. N. 27 vjeç) është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës, me urdhër të prokurorit i njëjti ndalet në ndalim policor për 48 orë.
Arma dhe karikatori janë sekuestruar gjithashtu.
Kundër të dyshuarit do të ngritët kallëzim penal për veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.