Gjuajtje me armë në Klinë, raportohet për dy të plagosur
Një gjuajtje me armë zjarri ka ndodhur në qytetin e Klinës.
Më saktësisht, në sheshin “Faruk Elezi” sipas një faqje lokale ka ndodhur një gjuajtje me armë ku janë plagosur dy persona.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë policia e Kosovës.
Ndërkohë, nga Spitali i Përgjithshëm i Pejës kanë dhënë detaje mbi gjendjen shëndetësore të dy të plagosurve nga ky incident.
Drejtori mjekësor i Spitalit të Pejës, Besnik Ibraj, ka thënë për Indeksonline se rreth orës 20:00 kanë pranuar dy të lënduarit për tretman mjekësor.
“Njëri ka qenë i theurr me thikë. Ka pasur pesë plagë në trup nga mjetet shpuese, respektivisht nga thika. Tjetri ka qenë i lënduar me tri plagë në kokë, nga mjetet e forta goditëse, topitëse. Gjendja e tyre është e mirë” ka thënë Ibraj.
Ai ka bërë të ditur se njëri nga pacientët është 53 vjeç, ndërsa tjetri është rreth 68 vjeçare.
Të dy pacientët janë jashtë rrezikut për jetë.
Në anën tjetër, rasti është konfirmuar edhe nga zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Pejës, Fadil Gashi.
“Në orën 19:20, Policia është njoftuar për një përleshje në afërsi të QMF-së në Klinë. Gjatë përleshjes, dy persona kanë pësuar lëndime nga arma e zjarrit dhe thika. Të lënduarit janë dërguar për tretman të mëtutjeshëm në Spitalin e Pejës” ka bërë të ditur Gashi.