Kuka: Pas humbjes që pësoi Majlinda, nuk kemi mundur ta gjejmë për 2-3 orë
Trajneri i ekipit të xhudos Driton Kuka, ka thënë se në ndërtimin e tij si trajner, Majlinda Kelmendi i ka ndihmuar shumë me punën dhe përkushtimin e saj.Kuka, ka folur edhe rreth humbjes befasuese të Majlindës në Lojërat Olimpike “Tokyo 2020”, duke thënë se asaj i ka thënë se këtë humbje duhet kuptuar vetëm si humbje në sport, por që pas asaj humbje, Majlindën nuk kanë mundur ta gjejnë për pothuajse tri orë.“Ajo çka e kom mbajt në vete dhe e kam diskutuar me Distrinë për herë të parë pasi që Majlinda i ka përfunduar garat kur kemi hipë në autobus, se nuk kemi mundur ta gjejmë Majlindë pas luftës gati dy-tri orë dhe unë fillova të bëhem merak dhe e mobilizova krejt ekipin që ta gjejmë”, është shprehur Kuka në “Sports Show” në Klan Kosova.
Më tej, Kuka ka zbuluar bisedën që e zhvilloi me Distria Krasniqin duke thënë se Majlinda Kelmendi i ka thënë se nuk është e gatshme më për gara.
“Bisedën që e bëmë me Distrinë i thashë se në muajin janar dhe shkurt Majlinda më ka thënë se nuk jam e gatshme për gara, jo në aspektin fizik por koka e saj nuk ka qenë më e gatshme për të garuar në këtë nivel”, ka thënë Kuka.Ndërsa, sipas mjeshtrit të xhudos, tek Majlinda Kelmendi ka ndikuar negativisht shtyrja e Lojërave Olimpike “Tokyo 2020” si pasojë e pandemisë.
“Si duket tek Majlinda shtyrja e Lojërave Olimpike, pra ky viti ekstra ka ndikuar negativisht. Ajo ka qenë e gatshme në vitin 2020 gjithçka me përfunduar, por nuk kam pasur dëshirë që kjo të ndodhë, jo për shkak të Majlindës por për shkak të të tjerëve”.“Por, që menduam se Majlinda ka shkuar në fshat olimpik, por ajo kishte qenë në autobusin e njëjtë. Normalisht pastaj kemi folur, por një kokë të kampionit si Majlinda me u mundu që ta bësh të ndjehet njëjtë pas humbjes që e ka pasur në Lojëra Olimpike është e kotë”, ka thënë Kuka.