Gjuha e bijve të shqipes

10 shkurt 2023 | 08:27

Në vështrimin në frëngjishte (1897) me titull Gjuha e bijve të shqipes, autori më parë shënon se shqiptarët quhen Albanais në frëngjishte, ndërsa veten e quajnë “zogj të shqipes”, “shqiptarë” e pastaj i krahason disa veçori të shqipes me ato të greqishtes, bullgarishtes, serbishtes, frëngjishtes dhe gjermanishtes. Ndërkaq duke bërë fjalë për karakteristikat kryesore të shqipes ai pohon: “E ashpër dhe e vështirë, si populli i fortë që e flet atë, po edhe plot e përplot me shije e bukuri, si frutat dhe lulet e maleve ku flitet ajo, gjuha shqipe në vend që të varfërohej nga një jokulturë e disa shekujve, është e zonja të shprehë me një ndiesi mahnitëse ngjyrimesh, koncepcionet më delikate të shpirtit njerëzor, drithrimat më suptile të nervozizmës”.

Paskëtaj Konica thekson lashtësinë e shqipes që zë rrënjë që nga “pella­zgët e hyjnueshëm”. Këtu mbështetet në mendimin e filologut Benlou, i cili kishte shkruar se shumë fjalë të greqishtes antike mund të shpjegohen me anë të shqipes së sotshme. Një filolog tjetër Oto Blau, sipas vlerësimit të Konicës, kishte bërë përpjekje për interpretimin e mbishkrimit të lykishtes me anë të shqipes. Mirëpo, në pasazhin tjetër vijues autori e shfaq indinjatën e tij, sepse: “Por, ç’e do! Kjo gjuhë e cila me bukurinë e saj të brendshme njëzon një lloj bukurije diturake (sado qoftë ajo), u ndalohet përdorimi atyre që e flasin, ndalohet zhvillimi i saj. Kjo ndodh në një skaj të Ballkanit dhe është një ngjarje unike në analet e përndjekjeve: domethënë ata që e dinë vetëm këtë gjuhë janë në rrezik të arrestohen nëse e shkruajnë këtë gjuhë, ose mund t’i varin nëse këtë gjuhë ua mësojnë të tjerëve. Lidhur me këtë pohim, cilido do të mund ta provonte këtë, nëse duke udhëtuar matanë kufirit turk, do të merrte në valixhe një abetare të rëndomtë të shqipes. Ne i kemi nja dy shkolla, por ato i ruajmë me pushkë”.

Fill pastaj, Konica kalon në denoncimin e regjimit osman, duke e shoqë­ruar sulmin me një lloj kërcënimi. Ai paralajmëron: “Kjo tirani marrashe të habit edhe më shumë, ngaqë shqiptarët- këtë mund ta vërtetojë secili duke shfletuar rastësisht ndonjë libër të histories – kanë shkruar me gjakun e tyre faqet më të lavdishme të historisë së Perandorisë Turke; ata vetë e kanë ngritur këtë godinë madhështore, vetë e përkrahin, por shqiptarëve u mjafton që t’i japin një shqelm asaj në mënyrë që ajo të shndërrohet në një gërmadhë ashtu siç dëshiron mbarë bota”.

Pas këtij pasazhi, Konica fletorar dhe drejtor, i cili merrej me propagandë kombëtare në Evropë dhe në një gjuhë evropiane dhe botërore, e sheh të udhës që nga një anë t’u drejtohet të përkohshmeve të tjera liridashëse në frëngjishte dhe në gjuhë të tjera që ta regjistrojnë, ta shënojnë dhe ta denoncojnë këtë krim të sulltan Abdyl Hamidit “mizor” e t’i përhapin lajmet për ngjarjet e zymta nga Ballkani. Nga ana tjetër, autori e lëvdon lirinë e shtypit në Belgjikë, ku ai e ka lirinë ta shtypë e ta botojë revistën Albania në gjuhën shqipe dhe frënge duke thënë se, “duke u shmangur nga çdo lloj fryme të propagandës, të lirë dhe rehat, meqë botojmë pohime e konstatime të përgjithëshme, ne këtu do ta marrim vetëm rolin e kronistit; e nëse nganjëherë, në favorin e një populli trim e të pa shibla, të cilit një idiot i pandërgjegjshëm i kërcënohet me shfarosje tërë kombit, do të ngrisim zërin më lart se zakonisht, kështu do të veprojmë kurdoherë pas leximit me vëmendje të ligjit belg mbi shtypin”.

Në përmbylljen e këtij vështrimi Konica u bën të ditur lexuesve evropianë se bijtë e Pirros, pushtuesit të Romës dhe të Lekës së Madh, “pushtuesit të botës”, ata të cilëve Bajroni me vargje të pavdekshme me plot frymëzim dhe ndjenja u thuri lëvdata, së shpejti mund ta humbin durimin, t’i rrokin armët dhe me armë në dorë ta dëbojnë armikun në Azi prej nga kishte ardhur.

 

Marrë nga libri Me Konicën në Evropë, i autorit Abdullah Karjagdiu, ribotim nga shtëpia botuese “Koliqi”, Prishtinë, 2022.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qeveria e Serbisë ka iniciuar procedurë disiplinore ndaj një përkthyesi…